
Duke iu referuar arrestimit të kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ Fredi Belerit, i cili akuzohet për blerje votash, deputeti demokrat, Tritan Shehu deklaroi se i gjithë shteti është mobilizuar për të terrorizuar qytetarët. Shehu theksoi se rrëmbimi i kandidatit 2 ditë para zgjedhjeve, ndodh si në diktaturë.
“Nga keqpërdorimi i pushtetit deri te një vizitë që mund të bëjnë, për mos të thënë për paratë që po hidhen, për investimet që bëhen në fushatë elektorale. Pas një program, në mënyrë ilegale, deri te përdorimi i institucionit të policisë, siç ndodhi në Memaliaj. Ky është falsitet, për të fshehur krimet e tyre elektorale. Duan të terrorizojnë popullsinë. Është skenar në vazhdim i tentativave për të terrorizuar qytetarët. Kambanat e fitores së PD, të koalicionit tonë në këto zgjedhje po bien.”, tha ai.
Fredi Beleri akuzohet për blerje votash. Të shoqëruar në komisariatin e Vlorës së bashku me Fredi Belerin kanë qenë edhe 3 persona të tjerë, avokati i tij, një anëtar i Shtabit elektoral dhe një tjetër. Shoqëruesi i Belerit, Pano Kokoveshi është vënë në pranga për korrupsion në zgjedhje në bashkëpunim. Ndërkohë, janë thirrur për t’u marrë në pyetje disa banorë të Himarës.
Arrestimi është bërë në kushtet e flagrancës pak pas mesnate, rreth orës 00:15 nga policia teksa ishte në restorantin e tij. Beleri dhe 3 të tjerët është dërguar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës. Ai është marrë në pyetje në Komisariatin e Vlorës.
Lini një Përgjigje