Në protestën e 20 shkurtit pati një mesazh nga Sali Berisha, mesazh që kaloi në hije. Sali Berisha përmendi pas shumë kohësh “aleancën e qelbësirave”...
Aleanca Meta-Berisha duket se ka filluar të cedojë. Edhe pse u betuan e u stërbetuan se do të jenë bashkë për rrëzimin e regjimit, duket se dashuria mes tyre ka filluar të venitet. Kur ishte në Presidencë, Ilir Meta kishte ambicie të merrte frerët e opozitës, me një Berishë “non grata” dhe të përjashtuar nga partia, në atë kohë PD shihej larg pushtetit dhe Meta kur ishte President e kishte lajmëruar disa herë se do të sillte një opozitë të re. Madje i ndërroi dhe emrin LSI-së. Por sharra i ngeci në gozhdë. Berisha ja bëri të qartë që në fillim se është ai lideri dhe Metën kjo e stepi.
Sinjali i parë i ndarjes u dha pas zgjedhjeve vendore. Meta nuk doli me kandidatë dhe duket se ja ngeci topin Berishës. Ky i fundit pësoi disfatë dhe Meta nuk reagoi për muaj të tërë, duke e lënë në baltë në betejën për “vjedhjen e votës”. Më pas Meta nisi t’i shkojë në zyrë dhe tentuan të tregojnë se janë bashkë, por javët e fundit duket qartë se marrëdhënia mes tyre nuk po funksionon.
Ishte Meta ai cili pak ditë më parë, pasi ishte zhdukur prej javësh, lëshoi silurin ndaj Berishës. Meta deklaroi se duhet një kandidat i gjithëpranuar për Kryeministër dhe të ketë raporte të mira me aleatët. Kjo deklaratë duket qartë se ishte për Berishën, pasi ai është “non grata” dhe në konflikt me ndërkombëtarët.
Siluri i dytë erdhi ditën e protestës së 20 shkurtit. Ilir Meta shpiku një vizitë jashtë shqipërisë dhe mungoi aty. Ndërkohë as Kryemadhi nuk u pa. Ata kishin dërguar Erisa Xhixhon sa për qokë.
Por në atë protestë pati dhe një mesazh nga Sali Berisha, mesazh që kaloi në hije. Sali Berisha përmendi pas shumë kohësh “aleancën e qelbësirave”. “Nuk ishte një betejë e thjeshtë kjo e jona. Shqipëria vitet e fundit ka qenë e sulmuar, një agresion i mirëfilltë kundër popullit shqiptar nga aleanca e krimit, drogës dhe korrupsionit. Aleanca, siç u pëlqejnë vetë atyre ta quajnë veten, e qelbësirave”, tha ai. Berisha u kujdes ta përsëriste disa herë, por për ata që nuk e dinë, Berisha këtë term e përdori në vitin 2013, kur Ilir Meta u bashkua me Ramën. Berisha e quajti atë pakt “aleanca e qelbësirave”. Një mesazh ky për Metën?
Ndërkohë kreu i PL ka vijuar edhe sot me thumbat. Meta foli për amnistinë penale dhe deklaroi se po tentohen pazare mes mazhorancës dhe opozitës. Basha nga njëra anë kërkon të lirohen protestuesit e tij, ndërsa mësohet se Berisha po lobon për të larguar Alibeajn nga Komisioni i Reformës Zgjedhore në këmbim të votës për amnistinë.
“Tërheqja nga rendi i ditës gjithashtu në seancën e fundit plenare të projektligjit për Amnistinë Penale ishte një tjetër dëshmi tronditëse se si institucioni i Kuvendit është marrë peng nga Edi Rama, ku ligjet futen dhe hiqen në rendin e ditës, sipas agjendave politike të Kryeministrit dhe pazareve të ulëta politike që bëhen apo zhbëhen”, tha Meta sot.
Pra mund të themi troç se “qetësia e dashuria” mes Metës e Berishës ka përfunduar. Meta e di se nuk ka të ardhme me një "non grata" nën akuzë nga SPAK dhe ka filluar të notojë i vetëm. Duhet parë ku do e çojë kjo rrugë, por Meta historikisht ka qenë njeri i kulisave të nëndheshme. Më vonë do e kuptojmë se çfarë ka bërë gjithë këto kohë në prapaskenë ish-Presidenti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje