Një magazinë në zonën e Fllakës, në Durrës, është përfshirë nga zjarri mëngjesin e kësaj të diele, duke i marrë jetën një 25-vjeçari nga Bangladeshi.
Si pasojë e flakëve, mësohet se edhe një punonjës tjetër nga Kenia ka mbetur i lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, flakët shpërthyen rreth orës 08:00 në ambientet e një subjekti privat, me administrator shtetasin me iniciale S. M. Dyshohet se zjarri nisi në hapësirën ku përgatitej ushqimi për punonjësit, ndërsa shkaku paraprak lidhet me shpërthimin e një bombule gazi.
Viktima është identifikuar me inicialet O. M., i cili humbi jetën nga asfiksia. Ndërkohë, shtetasi Ch. Ch., rreth 30 vjeç nga Kenia, u dërgua në spital dhe po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje ndërhynë shërbimet zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë, të cilët arritën të izolonin dhe të shuanin flakët.
"Rreth orës 08:00, në një nga ambientet e magazinave të subjektit me administrator shtetasin S. M., në zonën e Fllakës, Sektor Rinia, ka rënë zjarr.
Si pasojë e zjarrit të rënë në ambientin ku gatuhej për punonjësit, (dyshohet nga bombula e gazit) ka ndërruar jetë, dyshohet nga asfiksia, shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladeshi, ndërsa shtetasi tjetër, Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, po merr ndihmë mjekësore në spital.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, shkakun e rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes", njofton policia.
Lini një Përgjigje