
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin mafioz në Athinë, ku mbeti i vrarë Irakli Davella dhe u plagos Edi Lulo.
Protothema.gr shkruan se viktima është me precedent të rëndë penal, ndërsa thekson se shkak mund të jetë bërë rivaliteti mes grupeve të mafias greke.
Para krimit, autorët vodhën një automjet dhe më pas u drejtuan për në zonën ku ndodhi vrasja. Sipas mediave greke autorët iu afruan dy biznesmenëve shqiptarë dhe filluan të qëllojnë drejt tyre. Ata qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u larguan nga vendngjarja duke lënë të vdekur në vend 45-vjeçarin.
Media greke gjithashtu bën me dije se nga mënyra se si sulmuan, autorët duket se e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur.
“Nga mënyra e organizimit të atentatit, duket se ata e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur. Para krimit, autorët vodhën një makinë nga Athina, u nisën drejt Thrakomakedones (vendi ku ndodhi atentati), iu afruan viktimave dhe më pas hapën zjarr. Sulmi ndodhi jashtë një dyqani, ku autorët qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, shkruan Protothema.gr.
Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjesëtarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobëvënie”, etj. Në vitin 2011, Davella rezulton të jetë pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “organizatë kriminale” e “falsifikim”. Dosja e Korfuzit, ka qenë një ngjarje e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit. Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, Kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllain e një ish-ministre dhe deputete greke.
Mediat greke ndërkohë shkruajnë se ka dyshime nga policia, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet. Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme.
Gjithashtu në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojërash në Peristeri dhe një biznesi dhënie makinash me qira në ishujt grekë. Me biznes aktiv bar-kafeje rezulton edhe në Mesopotam, Bashkia Finiq por nuk dihet nëse është funksional.
Për sa i përket të plagosurit, Edi Lulo udhëtonte shpesh në Dubai.
“Ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga”, shkruajnë mediat greke.
Sakaq, autoritet greke thonë se së bashku me viktimën dhe të plagosurin, ka qenë edhe një person i tretë, i cili i ka shpëtuar plumbave.
Lini një Përgjigje