
Policia e Durrësit po verifikon edhe rolin e të ëmës së 19-vjeçares dhe 2 vëllezërve të saj në ngjarjen e rëndë në familje
Është zbardhur dëshmia e 19-vjeçares Hygerta Meta e cila vrau dhe groposi në oborrin e shtëpisë babain e saj 10 ditë më parë.
E reja, ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa theksoi se shkak ishte bërë fakti se babai, Pëllumb Meta, donte ta fejonte me një djalë nga fshati i saj, Shënvlash i Durrësit, emigrant.
“Doja të ndiqja ëndrrat e mija, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dike që nuk ishte në nivelin tim. Me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja dhe e vrava. Nuk kisha rrugëdalje tjetër dhe mora pistoletën e qëllova mbi të. Gjithçka e bëra vetë”, mësohet të jetë shprehur e reja para policisë.
Sakaq në pyetje u mor dhe familja e pretendentit për të bërë krushqi, që ishin në të njëjtin fshat me viktimën. Ata thanë se viktima iu kishte dhënë fjalën se do të fejonte vajzën e tij me djalin e tyre, madje dhe ata ishin dakord për këtë fejesë.
19-vjeçarja ishte studente në Tiranë në administrim biznes, ka marrë përsipër autorësinë e krimit, ndër to dhe dërgimin e automjetit të babait në zonën e plazhit.
Vrasjen e të atit e ka kryer me pistoletën e viktimës që e mbante pa leje por policia ende nuk ka mundur të sekuestrojë armën dhe as gëzhojat, të cilat po ashtu ka deklaruar se i ka hedhur në zonën e sektor Rinia. Viktima i ati punonte si roje.
Policia e Durrësit po verifikon edhe rolin e të ëmës së 19-vjeçares dhe 2 vëllezërve të saj në ngjarjen e rëndë në familje
Si ndodhi ngjarja
50-vjeçari u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij, një krim për të cilin policia ka vënë në pranga të bijën.
E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit, pa e ditur që 50-vjeçari ndodhej i varrosur pikërisht brenda rrethimit të banesës së tij.
4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.
19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me armë zjarri. Sipas policisë, ajo e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare. Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Ndërkohë, trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur nga shtëpia e tij dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, Pëllumb Meta 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të. Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të Pëllumb Metës, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.
Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së Pëllumb Metës. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje