
Marjus Aliu, ndaj të cilit autoritetet italiane kanë vendosur masën "arrest në burg" në kuadër të një operacioni të gjerë antidrogë, nuk është emër i panjohur për policinë.
Aliu del në një ngjarje të ndodhur në vitin 2019 në Kavajë. Më 4 korrik të atij viti, dy grupe kriminale u përplasën në një lokal në hyrje të qytetit. Plumbat kapën një kalimtar që gjeti vdekjen, ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur.
Në përplasje u përfshinë vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, të cilët ndodheshin në lokalin e tyre (të Dedejve) për t'u sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu.
Sherri i dhunshëm, që degjeneroi me përdorimin e armës, dyshohet se erdhi për shkak të konflikteve për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës.
Nga të shtënat e Marjus Aliut mbeti i vdekur kalimtari 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, që sapo kishte dalë nga furra me bukë në dorë. Të plagosur mbetën vëllezërit e përfshirë në konflikt Rustem dhe Elton Dedej, vetë Marjus Aliu, i cili u qëllua nga vëllezërit Elio dhe Eraldo Hyka. Po ashtu, plumbat kapën edhe dy persona të tjerë të rastësishëm.
Sali Mekja, pronar i një lokali tjetër përballë vendit ku ndodhi përplasja po qëndronte në lokalin e tij me një mik, Arben Ajdini, kur të dy i kapën plumbat.
Lini një Përgjigje