SPAK ka dërguar në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën në lidhje me ekstradimin e Gëzim Çelës, i arrestua pasditen e së premtes në Kosovë.
Tashmë pritet që Ministria e Drejtësisë të përpunojë dosjen dhe ta përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë.
Më pas Gjykata e Kosovës pritet që të japë vendimin për ekstradimin. Procedurat janë të njëjta si me çdo shtet tjetër, por lehtësohen për shkak të gjuhës dhe nuk nevojitet përkthim.
Gëzim Çela prej 2006-ës ishte në kërkim nga policia për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Bazën e kishte në zonën e Fushë Kuqes.
Çela kishte edhe mbështetjen e shefit të Komisariatit i cili i arrestuar para pak kohësh gjithashtu me urdhër të SPAK përmes operacionit “Flakë në Det”.
Po kush është Gëzim Çela?
Ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë kohë më parë. Në qershor të vitit 2014 policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drejt Europës Perëndimore, duke përdorur edhe territorin e Shqipërisë.
Në pikën kufitare të Morinit në Kukës u arrestua shtetasi, Erald Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai ishte korrier droge, që furnizohej në Prishtinë. Po në të njëjtën kohë, në kryeqytetin e Kosovës u arrestuan në flagrancë 3 persona, si u sekuestruan 50 kilogramë kokainë dhe heroinë.
Kurse, gjatë kontrollit në vilën e Çelës në Fushë Kuqe të Kurbinit u gjetën përpos 18 kilogramë kokainë, edhe 150 kilogramë kanabis sativa.
Forcat policore sekuestruan po ashtu 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara. Çela u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua se kishte falsifikuar kartelën mjekësore dhe u la në “arrest shtëpie”. Kur policia ka rrethuar shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte aty.
Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim Celës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. Për të, ekziston një dënim nga gjykata italiane me 11 vjet burgim, si dhe 150 mijë euro gjobë, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gëzim Çela, përpara se të implikohej në trafikant droge e të ishte kryetari i një bande të trafikut të kokainës, ka qenë oficer i Forcave Speciale të Policisë. Këtë post e ka mbajtur përpara vitit 1997.
Lini një Përgjigje