Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin Adnan Galica, i dyshuar si shkaktar i aksidentit tragjik të ndodhur pak ditë më parë në Shkodër, ku humbi jetën 62-vjeçari Shkëlqim Krasniqi dhe mbetën të lënduar një baba së bashku me dy fëmijët e tij të vegjël.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati mbrojtës Arbër Raja kërkoi një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se klienti i tij vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i pajisur me kartelë mjekësore për skizofreni dhe epilepsi.
Sipas mbrojtjes, Galica ka pasoja të rënda shëndetësore nga një aksident i ndodhur kur ishte 18 vjeç, pas të cilit kishte qëndruar për një periudhë në koma.
Avokati kërkoi masën “arrest shtëpie” dhe trajtim të specializuar mjekësor deri në përfundimin e ekspertizës psikiatrike nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Edhe mjeku reanimator i spitalit rajonal të Shkodrës rekomandoi trajtim spitalor për të dyshuarin deri në sqarimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore.
Vetë i dyshuari Adnan Galica për shkak të gjendjes shëndetësore por edhe i ndodhur në gjendje shoku pas aksidentit nuk ka folur asnjë fjalë as për policinë dhe as në gjykatë.
Nga ana tjetër, prokuroria kërkoi lënien në fuqi të masës “arrest me burg”, duke vlerësuar pasojat e rënda të aksidentit, kërkesë që u pranua nga gjykata.
Perse duhet te kete patente, nje person me probleme te shendetit mendor!?