
Prokuroria e Posaçme SPAK po heton një organizatë kriminale e cila skllavëroi 24 të rinj ukrainas. Grupi ofronte punë sekrete në Shqipëri dhe përdornin poligrafin për detektimin e gënjeshtrës dhe dhunë sapo i angazhonin.
SPAK zbuloi një bazën e tyre në Vlorë në fundvit, ku u gjetën disa ukrainas, mjeshtra të IT që punonin në kompjuter. Përmes aplikacioneve ende të pazbërthyera kryenin aktivitete të paligjshme duke hyrë në dark web-e ku dhe punësonin të tjerë nëpër shtete të e Evropës edhe për trafik. Të rekrutuarit paguheshin me bitcoin dhe me monedha virtuale.
Dy prej viktimave të trafikuara që u njohën me trafikantët përmes telegram ishin në listën e dëshmitarëve që u pyetën në Gjykatën e Posaçme në vazhdën e mbledhjes së provave, ndërsa të tjerë do të pyeten në vazhdim.
“Më rekrutuan në Varshavë. Më rekrutoi Juri, ata më bënë testin e poligrafit për të zbuluar nëse isha i lidhur me policinë, isha gazetar, apo isha përdorues. Do paguhesha 250 dollarë java dhe 25 dollarë për këdo që rekrutoja. Kjo është dëshmia e Danielit dhënë në gjykatë të hënën. Ai bashkë me 18 të tjerë u gjet në fund të vitit i mbyllur në një shtëpi në qytetin e Vlorës”, dëshmoi ai.
Kjo çështje nën hetim nga SPAK për akuzën e trafikimit të personave të rritur, është në fazën e sigurimit të provës për të parandaluar ndryshimin e tyre. Ndonëse hetimet nuk janë finalizuar, Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar që duhet të administrohen deklaratat në një seancë me dyer të mbyllura dhe përpara një gjyqtareje të Posaçme ku dhe po sillen të gjithë shtetasit që sakaq mbahen në një qendër për trajtimin e viktimave.
Autoritetet u aktivizuan mbas ankesës nga ambasada e Ukrainës që bazohej në informacionin e përcjelle nga Volodymir Savinov i cili sinjalizonte se nipi i tij ukrainas po detyrohej të punonte me dhunë. Është përdorur dhunë ndaj të trafikuarve, ndërsa ukrainasi tjetër Kiril tha se ishte dhunuar ngaqë kishte nxjerrë një informacion, një provë që ishte dërguar në Varshavë.
Kur polica shkoi në koordinatat e referuara gjeti në një sallon gjashtë persona me kompjuter përpara. Kur u mor në pyetje nipi i ankuesit, ai kujtoi se e gjeti punën përmes Telegramit dhe se u intervistua nga një person me nofkën Fresko. Ajo që ju tregua të riu mbasi u punësua ishin videot e frikshme të dhunës ku dukeshin punëdhënësit se si thyenin gjymtyrët e të punësuarve.
Puna që dëshmojnë deri më tani viktimat e trafikuara është ajo e rekrutimit të shtetasve për të kryer transport droge që më pas nëse i bindnin i referonin tek dy persona me nofkën mustang de Kika. Gjatë qëndrimit në Shqipëri të rinjve u ishin hequr pasaportat që mos të arratiseshin.
SPAK po këqyr 27 telefona ndërsa ka gjetur edhe 24 pasaporta që ju përkasin të rinjve, që dyshohet se janë punësuar nga një organizatë kriminale jashtë vendit. Deri më tani janë identifikuar dhe janë nën hetim shtetasit Nazar Khamulio dhe Mark Petrenko dhe një person i identifikuar nga viktimat si Oleh i cili njihej me pseudonimin ‘E premte”.
Ndërkohë që një tjetër siç tregojnë ukrainasit me emrin Karols Oskiera me nofkën veterineri ishte larguar në Armeni./TCH
Lini një Përgjigje