
Gjykata e Durrësit ka lënë në "arrest shtëpie" shoferin Indrit Uka i cili përplasi për vdekje 22-vjeçaren Erisa Aliaj.
Ditën e sotme është mbajtur seanca pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Durrës, ku u caktua masa e sigurimit personal “arrest shtëpi” për 24-vjeçarin.
Indrit Uka u akuzua për “shkelje të rregullave të qarkullimit” pasi për shkak të shpejtësisë aksidentoi për vdekje 22-vjeçaren Erisa Aliaj mbrëmjen e së martës.
E reja e aksidentuar për vdekje sapo ishte kthyer nga puna në një fasoneri dhe ishte futur për të blerë ushqime në një market të lagjes.
Pasi ka përfunduar blerjet në market ka dalë për të kaluar rrugën për në banesën e saj, nuk ka kaluar ne vijat e bardha, por afërsisht 100 metra poshtë tyre ku edhe është aksidentuar.
Uka ka deklaruar në polici se semafori ka qenë i hapur për të kaluar makinat dhe ka xhiruar gomat me shpejtësi për të vazhduar rrugën ndërkohë që nuk e ka parë vajzën e cila ka dalë menjëherë nga trotuari dhe nuk ka pasur mundësi të frenonte.
Shpejtësia e lejuar në këtë zonë është 40 km/orë, ndërkohë që rruga është e pajisur me semaforë, ndriçim dhe sinjalistikën përkatëse.
Për shkak se rruga ka peme të llojit rrap, me lartësi të konsiderueshme, në zona të ndryshme ndriçimi nga shtyllat është bllokuar prej gjelbërimit dhe gjatë natës bëhet e vështire të dallosh lëvizjet e këmbësoreve në këtë segment.
Erisa Aliaj me origjinë nga Tropoja përveç studimeve ishte edhe e punësuar dhe në momentin kur u përplas nga makina po kthehej nga puna.
Lini një Përgjigje