TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Janar 2025, 13:16

Pengmarrja në Astir, arrestohet 36-vjeçari që dyshohet se mbajti mbyllur Sajma Qordjen 

Shkruar nga Pamfleti

Pengmarrja në Astir, arrestohet 36-vjeçari që dyshohet se

Policia ka vënë në pranga një 36-vjeçar i cili dyshohet se është një nga autorët e ngjarjes të ndodhur në zonën e Astirit, ku një 21-vjeçare u mbajt e mbyllur në një apartament nga disa persona.

Policia thotë se ky person në bashkëpunim me disa të tjerë mbajtën të mbyllur në apartament 21-vjeçaren Sajma Qordja.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Ka qenë vetë vajza e re, e cila ka denoncuar rastin në polici, më pas ngjarja alarmoi zonën e Astirit, për shkak se pas denoncimit vajza nuk hapte derën, por është dashur ndërhyra e forcave speciale për t’u futur në apartament.

Brenda apartamentit janë gjetur armë zjarri, qese me shishe alkooli, pije energjike të konsumuara dhe një mjet identifikimi.

"Kapet dhe ndalohet një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 09.01.2025, në Astir.

Si rezultat i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në një apartament në Astir.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme", njofton policia. 

Çfarë ndodhi në Astir

Një 21-vjeçare alarmoi policinë duke deklaruar se ishte dhunuar nga disa persona dhe u mbyll në banesën në katin e 8-të duke mos pranuar të hapte derën. U desh ndërhyrja e forcave RENEA që hynë nga tarraca për të nxjerrë vajzën nga banesa e cila më pas u shoqërua në spital.

Vajza ishte në shoqërinë e disa presonave të tjerë, të cilët prej mbrëmjes së të mërkurës ndodheshin në dy apartamente në katin e 8 të pallatit ku i kishin marrë me qira AIRBNB ngjitur me njëri-tjetrin.

Apartamentet ishin marrë me qira nga një djalë me të cilin ishte në një lidhje 21-vjeçarja Sajma Qordja. Të rinjtë e kanë kaluar natën e së mërkurës deri në mesditën e së enjtes te të dy apartamentet, ku dyshohet se kanë konsumuar edhe lëndë narkotike.

Mesditën e së entjes, të rinjtë kanë zbritur poshtë pallatit për të konsumuar kafe, ndërsa Sajma Qordjan e kanë lënë në dhomë në gjumë. Kur ajo është zgjuar nga gjumi, ka parë dy armët e zjarrit pistoleta dhe jelekun antiplumb dhe më pas ka filluar të shfaqë paranoja duke bërtitur e frikësuar, ulërima që janë dëgjuar edhe nga banorët në pallat.

Më pas ajo ka telefonuar familjen e saj, nënën, duke i thënë se ndjehet e rrezikuar dhe e frikësuar dhe se gjatë gjithë natës është dhunuar nga disa persona dhe po mbahej peng. Kanë qenë familjarët e saj që më pas kanë lajmëruar policinë duke i thënë se vajza e tyre është rrëmbyer nga persona që kanë edhe armë dhe që e kanë dhunuar.

Fillimisht pas telefonatës së familjarëve të 21-vjeçares, në katin e tetë pranë apartamentit kanë shkuar dy efektivë të forcave të rendit, por vajza, e cila herë pas here bërtiste e frikësuar duke shfaqur paranoja, nuk u ka hapur derën. Më pas edhe familjarët e saj kanë shkuar aty për ta bindur. Ka qenë i ati, i cili ka komunikuar me video-call me të bijën pas derës ku ndodhej bashkë me policinë, por vajza sërish nuk ka hapur derën.

Më pas efektivët e rendit kanë lajmëruar FNSH dhe forcat RENEA, të cilët u futën në apartament nga dritarja duke zbritur nga taraca e pallatit. Ndërkohë personat e tjerë, në momentin e parë që kanë konstatuar që në katin e 8 pranë apartamenteve që kishin marrë me qira u ngjitën dy efektivë të forcave të rendit, janë larguar.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së pallatit dhe ka identifikuar të gjithë personat si edhe lëvizjet e tyre nga dita e parë e akomodimit te dy apartamentet deri te largimi pas mbërritjes së policisë.

Lini një Përgjigje