Bukurie Mata, nëna e Bleona Matës, e cila rezulton e zhdukur prej 16 vitesh, ka folur në emisionin “Dita Jonë”, në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.
Mes lotësh dhe emocionesh të forta, ajo hodhi akuza ndaj familjes së ish-bashkëshortit të saj, duke thënë se po fsheh të vërtetën për zhdukjen e vajzës.
“Familja e babait të Bleonës nuk e di pse e fsheh një krim brenda vetes. Kush e di diçka?! Kjo mua më bën të çmendem. Nuk do të dorëzohem kurrë, kurrë. Vetëm kur të vdes do të dorëzohem. Pa Bleonën nuk kam jetë”, shprehet Bukurie Mata.
Bleona Mata u zhduk 16 vite më parë, kur ishte vetëm 6 vjeçe. Rasti i saj mbetet ende pa përgjigje, ndërsa familja vijon të kërkojë zbardhjen e fatit të së miturës.
Në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e humbur, Bukurie Mata mes lotësh shprehet: “Nuk e përshkruaj dot këtë dhimbje kaq të madhe. U bënë 16 vite që as nuk ia kam parë fytyrën! Deri tani vetëm presim, një lajm sa më të mirë, sa më të gëzuar”.
Ndërkohë, gazetarja Odeta Dume, e cila e ka ndjekur rastin prej afro 8 vitesh, bëri me dije se së fundmi ka dalë një pistë e re hetimi për Bleona Matën.
“Që nga tetori 2018 shumë informacione kanë ardhur për Bleona Matën, na kanë çuar në Angli, në Maqedoni, në Kosovë, brenda territorit të Shqipërisë, në Greqi. Janë bërë verifikime, por jo gjithçka që vjen ne kemi aftësinë ta verifikojmë 100 për qind. Jemi në bashkëpunim me institucionet. Pistat e fundit Bukuria i di. Ka dalë një pistë e re, urojmë të jemi në rrugën e drejtë”, tha gazetarja.
Lini një Përgjigje