
Irakli Davella humbi jetën sot në një atentat të ndodhur në Athinë. Mediat greke ngrenë dyshimin se Davella mund të mos ketë qenë shënjestër e atentatit, pavarësisht të shkuarës së tij që lidhet me krimin.
Policia dyshon se bëhet fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre persona, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafies greke. Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur akuzë si pjesë e një grupi kriminal, zhvatje dhe falsifikim.
Personi i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark po lufton për jetën. Dyshohet se shënjeshtra e atentatit mund të ketë qenë Edi Lulo, i plagosuri i cili kishte ardhur së fundi nga Dubai.
Hetuesit besojnë se ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta ekzekutojë.
Mësohet se pavarësisht të shkuarës, Davella prej më shumë se një dekade ishte i pastër penalisht. 47-vjeçari rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjesëtarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobvënie” etj.
Në vitin 2011, ai rezulton të jetë pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “ organizatë kriminale” dhe “falsifikim”. Dosja e Korfuzit, ka qenë e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit. Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, Kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllanë e një ish-ministre dhe deputete greke.
Media greke ndërkohë shkruan se ka dyshime nga policia greke, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet. Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme.
Gjithashtu në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojrash në Peristeri dhe një biznesi dhënie makinash me qira në ishujt grekë.
Lini një Përgjigje