
Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit Ilber Domi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, i akuzuar për veprat penale ‘Trafik i lëndëve narkotike’ dhe ‘Mbajtje dhe shitje e armëve luftarake dhe municioneve’.
Kush është 36-vjeçari Ilber Domi ‘koka’ e trafikut të drogës?
Pjesë e këtij rrjeti të trafikut të drogës janë Edmond, Ernest dhe Ilber Domi, të njohur nga autoritetet gjermane si trafikantë të lëndëve narkotike dhe bazën e kanë kryesisht në qytetin e Kielit.
Ata krijuan në Gjermani një biznes të vogël, i cili shërbeu si kamuflim për shitjen dhe trafikimin e drogës. Nga dokumentet hetimore në Gjermani, rezulton se anëtar kryesor i këtij grupi ishte Ilber Domi, 36 vjeç, i cili mundi të largohej nga atje dhe të vinte në vendlindje. Pjesë e grupit në fjalë, janë edhe vëllai i Ilber Domit, Edmond Domi, 41 vjeç dhe Ernest Domi, 40 vjeç.
Edmond Domi u akuzua në vitin 2022 për shpërndarje droge në një gjyq në Kiel të Gjermanisë, por u lirua pasi prokurorët atje nuk mundën ta provonin. Megjithatë, edhe Edmondi, sapo u lirua nga burgu, la Gjermaninë dhe u kthye në atdhe.
I madh në biznesin e drogës është edhe Ernest Domi. Ai u kap në nëntor të vitit 2020 përmes hackerimit të aplikacionit “SkyECC” nga autoritetet francezë dhe në biseda iu zbulua se mundi të fitojë 1,5 milionë euro me 20 kg kokainë dhe 267 kg kanabis sativa. Ai është i arrestuar, ndërsa dyshimet e autoriteteve gjermane janë se lëndën narkotike që e shiste në zona të Hamburgut, Q. D., autori i vrasjes së Reols Hysnelit, e merrte nga anëtarë të grupit të trafikimit të lëndës narkotike të Domëve.
Lini një Përgjigje