Në atentat u plagosen djali dhe nipi i pronarit të "Pelikani Security", shoferi dhe një 19-vjeçar. Ata po lëviznin me mjetin G Class kur u qëlluan, por s'dihet kush ishte shënjestra.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbëmjen e djeshme në Lundër të Tiranës, ku katër persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri.
Të katër personat janë dërguar në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore ku dy prej të plagosurve janë të mitur.
Të plagosur kanë mbetur, Arenc Sefa 34 vjeç, Klan Mullahi 19 vjeç, dhe dy të miturit B.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç. Përkatësisht, djali dhe nipi i pronarit të kompanisë “Pelikani Security”, ndërsa 34-vjeçari është pjesë e stafit të kësaj kompanie dhe ka qenë shoqëruesi i fëmijëve në momentin kur është organizuar atentati.
Të plagosurit po udhëtonin në të njëjtën makinë dhe ndaj tyre është qëlluar me breshëri nga një automjet tjetër që i kishte zënë pritë.
Dyshohet për konflikt çasti që mund të kenë pasur personat në fjalë, por rezulton se një prej të plagosurve është djali i pronarit të një kompanie private sigurie dhe kështu shtohen pistat e hetimit.
Sipas raportimeve me kërkesë të familjarëve 17-vjeçari është dërguar në një spital privat pasi parametrat jetësor janë stabël, por vijon të jetë në gjendje serioze për jetën.
11-vjeçari vazhdon të jetë në sallën e operacionit tek ‘Trauma’.
Autorët e ngjarjes janë ende të paidentifikuar, por blutë kanë arritur të mësojnë se ata kanë qenë me një fouristradë dhe nuk dihet nëse e kanë ndjekur mjetin “G Class” nga momenti kur kanë shtënë me armë në drejtim të tij deri në Lundër, kur shoferi 34-vjeçar humbi ndjenjat. Mbetet e paqartë se kush ka qenë shënjestra e atentatit, por një grup hetimor është ngritur dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Forca të shumta policie dhe pika kontrolli janë ngritur për kapjen e autorëve, ndërsa blutë do të vëzhgojnë edhe kamerat e sigurisë për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Autorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa pikat e kontrollit janë ngritur kryesisht në drejtim të Elbasanit, ndërsa deri më tani Policia e Tiranës nuk raporton që mund të jetë djegur mjeti i autorëve, siç ndodh me skemat tipike të atentateve.
Disa persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kryesisht dëshmitarë të vendit të ngjarjes, ndërsa në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të plagosurve.
Intinerari i autorëve të ngjarjes

Mësohet se autorët kanë ndjekur makinën deri tek rrethrrotullimi i Shkozës deri në lagjen rezidenciale Rolling Hills në Lundër, më pas ata kanë hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme.
Nga gëzhojat e gjetura në vendngjarje dyshohet se autorët kanë qëlluar me mbi 30 plumba. Dyshohet se atentatorët kanë qenë 3 persona, 2 kanë qëlluar me armë, ndërsa i treti ka patur rolin e shoferit.
Si në çdo ngjarje kriminale, autorët pasi kanë kryer krimin janë larguar me një automjet fuoristradë dhe në zonën e Lundrës e kanë djegur makinën e tyre dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Lini një Përgjigje