
Policia ka arritur të gjejë motorin e përdorur në atentatin me 4 të plagosur në Lundër, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së enjtes.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës shprehet se në fshatin Fikas, Mullet, ka gjetur një motor të djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatin që shkaktoi plagosjen e 4 personave, dy prej të të cilëve të mitur, ndaj të cilëve u qëllua me breshëri automatike.
Tiranë/Informacion shtesë
Në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 17.04.2025, në Lundër, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti me të cilin qarkullonin 4 shtetas, shërbimet e Policisë, ditën e sotme, kanë gjetur në afërsi të fshatit Fikas, Mullet, një motomjet të djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si ndodhi ngjarja
Atentati ndodhi mbrëmjen e 17 prillit në periferi të Tiranës, ku nga një motor tip ‘Ducati’, i cili është gjetur i djegur, është qëlluar me breshëri ndaj automjetit 'G Class".
Të plagosur në këtë atentat mbetën 11-vjeçari Dior Demiraj dhe 17-vjeçari Marko Bardhi Demiraj, të cilët pasi morën ndihmën e parë tek Trauma në Tiranë u transportuan jashtë vendit, si edhe shoku i tyre, 19 vjeçari Kian Mullaj dhe shoferi i familjes Demiraj, Arens Stafa, 34 vjeç, që drejtonte mjetin tip G Class.
Ngjarja vijon të mbetet mister, ndërsa po hetohet edhe pista se autorët kanë gabuar objektivin.
Atentati në Tiranë ndodhi rreth 90 minuta pasi në Lezhë u ekzekutua Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, i ekzekutuar rreth 1 vit më parë në Greqi, në një atentat që ende nuk është zbardhur. Kjo ka ngritur hipotezën se autorët e atentatit në Tiranë mund të kenë ngatërruar objektiv, pasi një makinë të ngjashme, pothuajse me të njëjtën targë, përdor edhe bashkëshortja e Roan Brahimit, e cila sipas raportimeve, gjithashtu është banore e Lundrës.
Zona ku ndodhi atentati nuk është e mbuluar me kamera, çka vështirëson grupin hetimor.
Sipas raportimeve, automjeti G Class u qëllua me breshëri nga një motor, ku ishin dy persona, sapo u makina u afrua te mbikalimi i Farkës.
Shoferi Arenc Stafa, i plagosur ka mundur të lëviz me shpejtësi me makinën “G Class”, duke kaluar një rrethrrotullim pak metra më tutje, më pas mbikalimin dhe për mbi 1300 metër më tutje kur është përplasur pranë një lokali në zonën e Lundrës, pasi dyshohet se nuk i kanë funksionuar frenat për shkak të plumbave.
Motoçikleta e autorëve dyshohet se i ka ndjekur për disa qindra metra, pasi grupi hetimor ka mundur të gjej gjurmë gjatë rrugës, dhe më pas është larguar në drejtim të paditur.
Deri tani, grupi hetimor nuk ka mundur të lokalizojë dhe as të identifikojë autorët.
Lini një Përgjigje