TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Prill 2025, 22:29

Atentati me 4 të plagosur, autorët studiuan terrenin 1 ditë para ngjarjes; çfarë zbuluan kamerat e sigurisë

Shkruar nga Pamfleti

Atentati me 4 të plagosur, autorët studiuan terrenin 1 ditë para

Detaje të reja janë zbardhur rreth atentatin të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Lundër të Tiranës, ku 4 persona mbetën të plagosur pasi automjeti me të cilin udhëtonin ‘G Class’

Në atentatin e së enjtes mbetën të plagosur edhe dy të mitur, që pas marrjes së ndihmës së parë, janë dërguar jashtë vendit për ndihmë më të specializuar.

Gazetari i Vizion+, Esido Barkaj, shprehet se nga hetimet e policisë janë zbuluar se dy autorët kanë studiuar mirë vendin ku do bënin atentatin.

Referuar burimeve nga policia, ai tha se në orën 03:30 të datës 17 prill, pra të paktën 18 orë para krimit, autorët kanë shkuar pranë vendit ku do kryenin atentatin për të studiuar terrenin.

Verifikimet e kamerave tashmë janë përqendruar edhe në ditët përpara atentatit, për të zbuluar lëvizjet e autorëve.

Autorët e plagosjes së katërfishtë, menjëherë pas të shtënave me breshëri plumbash në drejtim të mjetit luksoz tip ‘G-Class’, janë larguar me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.

Dy autorët e dyshuar, pasi kanë dalë në autostradë, janë drejtuar drejt Elbasanit, por gjatë rrugës kanë devijuar në disa fshatra, ku edhe kanë humbur gjurmët.

Hetuesit kanë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë një pjesë të itinerarit të tyre pas atentatit, por për shkak se janë fshehur në rrugë dytësore rurale, kanë arritur të humbin gjurmët, duke përfituar nga mungesa e kamerave të sigurisë në këto zona.

Gjatë kohës që atentatorët kanë nisur të qëllojnë në drejtim të makinës, përveç 7 gjurmëve të plumbave që janë gjetur në mjet, një tjetër plumb ka goditur një makinë tjetër që po lëvizte në afërsi. Drejtuesi i saj është larguar menjëherë nga frika, por më vonë ka njoftuar policinë.

Grupi hetimor po heton në disa pista, që nisin nga ajo e dyshimeve se është ngatërruar objektivi, deri në ato nëse atentati ishte një mesazh për familjen e dy fëmijëve të mitur që mbetën të plagosur.

Sipas Vizion+, një pistë që po verifikohet nga policia është ajo e fajdeve, për të kuptuar nëse familja e dy fëmijëve të mitur që mbetën të plagosur është e përfshirë në këto skema të jashtëligjshme apo jo.

Hetuesit dyshojnë se një përplasje me persona të tjerë, për shkak të borxheve të pashlyera, mund të jetë motivi i këtij atentati të rëndë, raporton Vizion+.

Edhe në këtë pistë, e cila është ende në fazën e verifikimeve, grupi hetimor beson se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër, duke mos ditur se brenda mjetit ndodheshin shoferi i familjes Demiraj, dy djemtë e mitur dhe fqinji i tyre adoleshent.

Ndërkohë, një tjetër pistë që po hetohet nga Krimet e Rënda është ajo që vrasësit e dyshuar me pagesë mund të kenë pasur si shënjestër eliminimin e gruas së Roan Brahimit dhe jo familjen Demiraj. E veja e Brahimit jeton në vilat luksoze të Lundrës dhe zotëron një automjet të ngjashëm me atë në të cilin po udhëtonin katër personat e plagosur.

Roan Brahimi, i cili u ekzekutua në vitin 2024 në Athinë, në sy të një gruaje tjetër dhe të djalit të tyre të mitur, ishte një nga personat që kishte konflikte të ashpra me klanin e “mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Madje dyshohet se pas vrasjes me tre viktima në Fushë-Krujë një prej tyre Brilant Martinaj si dhe pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas, qëndronte pikërisht Roan Brahimi. Këto krime mund të jenë kryer në kuadër të hakmarrjeve.

Lini një Përgjigje