
Janë identifikuar tre personat e dyshuar për sulmin fizik ndaj shtetasve shqiptarë në Zelenikë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Malit të Zi përmes një njoftimi, ku thuhet se po punohet për kapjen e tyre.
Sipas Policisë, njoftimi është marrë në orët e pasdites, ku përmes telefonit është raportuar në shërbimin kujdestar të Departamentit të Sigurisë në Herceg Novi se në rrugën kryesore në qytetin e Zelenikës në Malin e Zi ka pasur shkelje të rendit dhe qetësisë publike nga disa persona të panjohur.
Ata thonë se në vendngjarje janë dërguar pjesëtarë të Policisë ku kanë konstatuar tre persona, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët kishin lëndime të dukshme dhe më pas janë dërguar për të ofruar ndihmë mjekësore.
Po ashtu thuhet se punonjësit e policisë kanë ndërmarrë veprime me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur personat e përmendur. Janë marrë videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes.
Për ngjarjen është njoftuar prokurori kompetent, i cili do të vijojë hetimet në lidhje me këta persona, por edhe për identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm, për të cilët publiku do të njoftohet me kohë.
Gjithashtu në njoftim thuhet se personat e sulmuar kanë qenë në një automjet pa targa të Republikës së Shqipërisë dhe sipas informacioneve të deritanishme, pra sipas informacioneve të disponueshme, shkaku i ngjarjes ka qenë një konflikt i momentit, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Zelenika në afërsi të qytetit të Hercegnovit. Tre shqiptarët ishin nisur për në Gjermani uke udhëtuar përmes Malit të Zi me një makinë me targa gjermane, në momentin kur janë sulmuar befasisht pa asnjë shkak. Grupi prej 6 ose 7 personash u ka goditur fillimisht makinën dhe pas daljes se shqiptarëve nga mjeti, ata i kanë sulmuar fizikisht duke u shkaktuar plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Për ngjarjen e rëndë Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se kontaktoi me autoritetet të Malit të Zi ndërsa nënvizoi se 3 shqiptarët u sulmuan nga persona të veshur me uniforme ushtarake. Një reagim të menjëhershëm ka pasur dhe nga kryeministri malazez Milojko Spajic, i cili ka shprehur keqardhjen për dhunën e ushtruar ndaj të rinjve ndërsa ka bërë të ditur se autorët janë duke u identifikuar dhe po punohet për kapjen e tyre.
Lini një Përgjigje