
Gjykata e Elbasanit ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg me një muaj, në burg pa afat për Arsen Preçin, mikun e Erjon Alibej i cili do kryente atentatin ndaj Otit të Elbasanit pak kohë më parë.
Ngjarja arriti të zbardhej me anë të ADN-së të një bishti cigareje të gjetur brenda makinës me tre kallashnikov që u gjet pas dështimit të atentatit ndaj Elton Kilës (Oti i Elbasanit). Nga përgjigja, Arsen Preçi ka përputhshmëri të plotë me ADN-në e gjetur nga bishti i cigares së rënë në makinën e përdorur për këtë atentat. Kjo ka bërë që Gjykata e Elbasanit të ndryshoje masën e sigurisë ndaj Preçit, nga “arrest me burg për 1 muaj”, në “arrest me burg”.
Policia arrestoi Arben Spahiun dhe Arsen Preçin, si të dyshuar se do të kryenin atentatin. Një çantë e gjetur në një kosh mbeturinash fundosi Spahiun, pasi brenda saj u gjetën dokumente të falsifikuara greke me fytyrën e tij, dorez, si dhe çelësi i makinës “BMW X6” të vjedhur në Shkodër.
Dyshimet e hetuesve janë se porosia për vrasjen e Otit të Elbasanit, që i shpëton për herë të katërt eliminimit, ka ardhur nga Erion Alibej nga burgu, ku qëndron i arrestuar mbi dyshimet se ka porositur vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në vitin 2020. Dy të arrestuarit Arben Spahiu 53 vjeç dhe Arsen Preçi 44 vjeç kanë mohuar se kishin marrë urdhër për atentatin që dështoi ndaj Elton Kilës të njohur si 'Oti i Elbasanit'.
Lini një Përgjigje