TAGS-AT E JAVËS

Kronike31 Korrik 2024, 16:53

Falsifikim, vjedhje dhe grup kriminal/ Ekstradohen 3 persona nga Zvicra dhe Italia

Shkruar nga Pamfleti

Falsifikim, vjedhje dhe grup kriminal/ Ekstradohen 3 persona nga Zvicra dhe

Tre persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, janë ekstraduar nga Italia dhe Zvicra.

Sipas njoftimit të policisë, 2 shtetas të dënuar për vepra penale në fushën e krimeve kundër pasurisë dhe pronës, janë ekstraduar nga Italia, ndërsa nga Zvicra u ekstradua 1 person i akuzuar si anëtar i një grupi kriminal që falsifikonte dokumente.

U ekstradua nga Italia, shtetasi me tre emra Salvatore CASTORINA alias Andrea Di DIO alias Salvatore CASCINO, ndërsa nga Zvicra shtetasi Xhelal Krasniqi.

Italiani Salvatore Castorina u ekstradua në Shqipëri pasi sipas policisë, gjatë dhjetorit 2019 deri në mars 2020 krijoi një shoqëri fiktive së bashku me dy persona të tjerë me qëllim qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.

50 vjeçarit i ishte caktuar masa e sigurisë ‘Arrest në burg’ nga Gjykata e Gjirokastrës, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Personi tjetër i ekstraduar nga Italia, është Enea Korreshi, 31 vjeç. Apeli i Vlorës e kishe dënuar me 2 vite burg pasi në bashkëpunim me një tjetër kishte vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë.

Ndërkohë nga Zvicra është ekstraduar Xh.Krasniqi pasi së bashku me persona të tjerë kanë prodhurar dokumente identifikimi të falsifikuara, për shtetet e BE-së por edhe për shtetas që donin të udhëtonin në SHBA apo Kanada.

“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan nga Italia në Shqipëri, shtetasit:

-S. C. alias A. D. alias S. C., 50 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shtetasi italian S. C., gjatë periudhës dhjetor 2019 – mars 2020, në bashkëpunim me 2 shtetas shqiptarë, kanë krijuar një skemë mashtruese të shoqërive fiktive, për qarkullimin e shumave monetare në lidhje me rimbursimin e TVSH-së.

-Enea Korreshi, 31 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vjedhur pjesë këmbimi të automjeteve në një subjekt në Lushnjë.

Në vijim, Policia e Shtetit njoftoi se si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Bern, Zvicër, u ekstradua drejt Shqipërisë, shtetasi Xh. K., 39 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi kriminal”.

Shtetasi Xh. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në kuadër të grupit kriminal, kanë prodhuar dokumente identifikimi të falsifikuara, kryesisht për shtete të BE-së, për shtetas që synonin të udhëtonin drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe vendeve të BE-së”, njoftoi policia.

Lini një Përgjigje