Ekstradohet nga Gjermania 42-vjeçari Vladimir (Valmir) Kola, i akuzuar për vrasjen e Briken Sanajt. Ai u arrestua në prill të vitit 2024 gjatë operacionit “Versus”, pas bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve gjermane.
Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” që në nëntor të vitit 2022. Vladimir Kola akuzohet se më 30 tetor 2022, në kompleksin "Kodra e Diellit", në bashkëpunim me persona të tjerë, ka ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Briken Sanajn për hakmarrje.
Të ndihmuar nga një person i tretë, autorët u larguan me shpejtësi me makinën tip “Mercedez Benz”, të cilën e dogjën, ndërsa personi i katërt ka pasur rol vëzhgues.
Briken Sanaj dyshohet se u vra për plagosjen e kryer 10 vite më parë nga vëllai i viktimës, Antonio alias Renato Sanaj, për një vajzë. Në atë kohë, Renato qëlloi dhe plagosi Gentian Kolën. Dy familjet në Lezhë u futën në gjak dhe tentativat për pajtim ishin të pasuksesshme.
“Në kuadër të bashkëpunimit të Interpol Tiranës, me Interpol Wiesbaden, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri, shtetasi:
V. K. alias V. K., 42 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23.11.2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja me paramendim" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit", njoftoi policia.
Të paktën katër persona dyshohet se morën pjesë në atentatin e 30 tetorit të 2022-it. Dy atentatorët u futën në rezidencë pasi çanë rrethimin e jashtëm dhe qëlluan Briken Sanajn nga një distancë të afërt, nga një vend poshtë një peme ulliri.
Lini një Përgjigje