TAGS-AT E JAVËS

Kronike20 Janar 2024, 12:12

Celularë dhe ilaçe kontrabandë, arrestohet çifti në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Celularë dhe ilaçe kontrabandë, arrestohet çifti në

Një çift me banim në Tiranë, Klarita Seitllari 40 vjeç dhe Klodjan Kondi 45 vjeç, u arrestuan nga policia pasi akuzohen se tregtonin barna dhe aparate celularë kontrabandë.

Gjatë kontrollit në dyqanin e 45-vjeçarit policia gjeti dhe sekuestroi 47 aparate celularë që dyshohet se janë futur kontrabandë në vendin tonë.

Ndërkohë në farmacinë e gruas, shërbimet e Policisë sekuestruan sasi barnash të pashoqëruara me pullë dhe të paregjistruara në pikat doganore.

"Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Couple”.

Si rezultat i tij u bë ndalimi i shtetasve K. S., 40 vjeçe, dhe K. K., 45 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në subjektin e shtetasit K. K., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 47 aparate celulare, që dyshohet se janë futur kontrabandë në vendin tonë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në subjektin e shtetases K. S., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi barnash të pashoqëruara me pullën e AKBPM-së dhe të paregjistruara në pikat doganore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale."-njofton policia.

Lini një Përgjigje