TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Maj 2026, 09:25

Aksident i rëndë në Mengël, makina përplas për vdekje 7-vjeçarin

Shkruar nga Pamfleti
Aksident i rëndë në Mengël, makina përplas për
Foto ilustrim

Një 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet në momentin kur po kalonte rrugën për të shkuar në shkollë.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një fëmije është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël, në aksin rrugor Elbasan–Librazhd.

Sipas të dhënave paraprake, një 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet në momentin kur po kalonte rrugën për të shkuar në shkollë.

Aksidenti tragjik ka ndodhur në sy të nënës së fëmijës. 7-vjeçari i është shkëputur nga dora nënës në çastin kur ka tentuar të kalojë rrugën, ndërsa më pas është goditur nga automjeti që po lëvizte në aksin rrugor. Shoferi i automjetit është një 61-vjeçar me inicialet P.B., i cili është shoqëruar nga efektivët.

Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik. Ndërkohë, banorët e zonës e përshkruajnë si vendburim aksidentesh rrugën pranë shkollës në Mengël. Sipas tyre, në atë zonë makinat lëvizin me shpejtësi dhe nxënësit nuk kanë ku të kalojnë përveçse në rrugë, duke rrezikuar kështu jetën e tyre.

"Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin P. B., 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme", njoftoi sot policia.

Kujtojmë se disa ditë më parë, një aksident i rëndë ndodhi në Durrës, kur një shofer në gjendje të dehur përplasi për vdekje dy fëmijë, ndërsa plagosi rëndë një tjetër.

Sipas të dhënave paraprake, të miturit ishin ulur në anë të rrugës, kur makina është drejtuar drejt tyre, duke shkaktuar ngjarjen tragjike. Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës, në qytetin bregdetar.

Shoferi 57-vjeçar, Nikoll Radaçi përballet me akuzat për “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se nuk mban mend detaje mbi automjetin tjetër që, sipas tij, shkaktoi devijimin, si dhe ka pohuar se nuk i njihte fëmijët.

Në lidhje me shpejtësinë, Radaçi ka deklaruar se po lëvizte me rreth 30 km/h. Ndërkohë, për testin e alkoolit, ai ka pranuar konsumimin e pijeve alkoolike para drejtimit të mjetit.

“Përpara se të drejtoja automjetin, unë kam pirë një birrë në mëngjes”, është shprehur ai.

aksident mengel 7 vjecari humb jeten

Lini një Përgjigje