TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Prill 2023, 11:22

11 persona të zhdukur në 32 vite dhe asnjë autor, si përdoret Konispoli nga grupet kriminale

Shkruar nga Pamfleti
11 persona të zhdukur në 32 vite dhe asnjë autor, si

Zhdukja e dy 46-vjeçarëve në Sarandë Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovarit alias Krasniqi dhe dyshimet se janë vrarë e groposur në Konispol, ka rikthyer sërish në skenë misterin 32-vjeçar që mbulon zonën.

Kufoma të zhdukura, të vrarë e të varrosur pa kokë, mjete të djegura pas krimeve e lumenj droge. Kjo është historia e zonës me 13 fshatra, 5 prej të cilave janë bërë prej vitesh objekt i krimit të organizuar.

Historia e vrasjeve makabre në zonë nis në dhjetor 1991, kur ish-efektivi i “Briskut”, 30-vjeçari Robert Shero, u gjet i vdekur ne Qafë të Likojanit, midis Konispolit dhe Igumenicës. Ai dyshohet se ishte helmuar pasi nga goja i dilnin krimba dhe trupi i tij ishte braktisur në kufi. Kjo vrasje rezulton edhe sot e pazbardhur.

Në gusht 1998 ekzekutohet me Kallashnikov në vendin e quajtur “Kataeto” oficeri i policisë së Sarandës, Vladimir Bejdo, 30 vjeç. Trupi i Bejdos u gjet pas një jave më vonë i fshehur në një pus në kufirin greko-shqiptar, konkretisht në Sajadhë, Igumenicë. Kjo vrasje rezulton edhe sot e pazbardhur.

Në 8 tetor 2005 në “Vasilikua” Konispol, u gjet trupi i 45-vjecarit, Zihni Myderizi. Trupit të tij i mungonte koka. Ngjarja dyshohet se kishte si motiv larjen e hesapeve. Viktima varroset pa kokë dhe prej asaj date nuk është gjetur as koka e as autorët. Hetimet janë kryer nga shumë sektorë të Policisë, madje hetimet janë shtrirë deri në Greqi por pa sukses.

Në 3 nëntor 2005 zhduket në malet në kufirin greko-shqiptar, 33-vjeçari Armond Ndreca nga Reçi i Mirditës. Ai ishte nisur me një grup personash për të trafikuar drogë dhe dyshohet se gjatë transportit për shkak të konflikteve, është ekzekutuar. Trupi i tij nuk është gjetur dhe ai rezulton i zhdukur.

Në 17 qershor 2015, një “BMË” X5 futet mes njerëzve në shëtitoren e Sarandës. Ridvan Lamaj po pinte një kafe, kur nga njerëzit e automjetit ftohet për t’u futur brenda e më pas rrëmbehet. Nga ky moment, familja e 37-vjeçarit Lamaj, baba i dy fëmijëve, nuk di më asgjë për të. Hera e fundit që është fiksuar nga kamerat mjeti i rrëmbyesve është në afërsi të fshatit Mursi të Bashkisë, Konispol. Lamaj dyshohet të jetë groposur në zonë ose të jetë hedhur në det.

Në 9 maj 2016 në Igumenicë, iu pre koka 26-vjeçarit Bledar Terpollari, i cili sipas informacioneve frekuentonte edhe zonën e Konispolit në Sarandë. Shkak ishte prishja e pazareve të drogës. Koka e viktimës nuk u gjet kurrë.

Prej 9 tetorit 2016 rezulton i zhdukur 30-vjeçari nga Ksamili, Leonidha Bilero. Familjarët e tij atëherë ngritën dyshime se djali mund të jetë përdorur për trafik të lëndëve narkotike. Ksamili rezulton në kufi me territorin e Bashkisë Konispol.

Në 6 qershor 2021 ekzekutohet pranë banesës së tij në Ksamil 40-vjeçari Gramoz Mema. Mjeti i krimit, tip “Ford” u gjet disa ditë më pas i djegur në “Kataeto” të Bashkisë Konispol. Mjeti rezultoi i vjedhur në Greqi. Ngjarja rezulton ende e pazbardhur.

Prej 14 dhjetorit 2021 Fatjon Doda nga fshati Shëndëlli, Bashkia Konispol, sot 24 vjeç, rezulton i zhdukur. Motra e tij e denoncoi të humbur në janar 2022. Një ndër pistat e hetuara është ajo e përfshirjes së të riut në trafikun tokësor ose detar të drogës drejt Greqisë.

zhdukja e leonard thodhori dhe fatmir sulovarit

Lini një Përgjigje