
Policia greke po heton rastin si atentat mafioz, duke konsideruar larjen e hesapeve si motiv të mundshëm.
Një shqiptar është ekzekutuar mesditën e sotme në Greqi. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në një vresht në zonën e Rafinas, ku 41-vjeçari shqiptar i identifikuar si Altin Arapaj, është gjetur i vdekur me një plagë në kokë.
Sipas raportimeve nga Protothema.gr, 41-vjeçari, ishte qëlluar me një plumb i cili e kishte kapur në faqe, duke e plagosur rëndë. Pavarësisht plagës, mësohet se Shqiptari ka arritur që të telefonojë bashkëshorten e tij, ku i ka treguar se është qëlluar nga një mik i tij. Arapaj mësohet se i ka treguar identitetin e plotë të autorit gruas së tij, i cili rezulton gjithashtu të jetë me origjinë shqiptare.
Sipas burimeve policore, autori i dyshuar është Mikel Selimaj, 46 vjeç nga Vlora, person me precedentë të mëparshëm penalë për drogë.
Gruaja e alarmuar mësohet se ka telefonuar policinë e cila është nisur menjëherë për në vendngjarje, për ta gjetur dhe për ti dhënë ndihmën e parë shqiptarit, por kërkimi nuk ka qenë i lehtë për shkak të sipërfaqes së madhe të vreshtit.
Pas kërkimit i cili zgjati për disa minuta, policia greke gjeti telefonin e viktimës fillimisht, ndërkohë që disa metra më tutje u gjet dhe trupi i pajetë i 41-vjeçarit i cili mesa duket është zvarritur në kërkim të ndihmës.
Policia greke po heton rastin si atentat mafioz, duke konsideruar larjen e hesapeve si motiv të mundshëm.
Sipas burimeve, viktima kishte pasur më parë probleme me ligjin për çështje të ndryshme. Autori i dyshuar, gjithashtu shqiptar dhe i njohur për përfshirjen në çështje narkotikësh, është shpallur në kërkim nga autoritetet. Policia greke po e trajton rastin si një larje hesapesh mes dy shqiptarëve me të kaluar kriminale./Pamfleti
Lini një Përgjigje