TAGS-AT E JAVËS

Kronike17 Prill 2025, 20:24

Atentat mafioz në Lezhë, ekzekutohet babai i Roan Brahimit

Shkruar nga Pamfleti
Atentat mafioz në Lezhë, ekzekutohet babai i Roan Brahimit
Roan Brahimi

Viktima mësohet se është Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, alias (Sidorel Prendi), i cili u vra më 9 maj të vitit 2024 në Athinë.

Një atentat mafioz është regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Planë të Lezhës, ku një person është qëlluar për vdekje nga persona të paidentifikuar.

Sipas informacioneve paraprake, viktima mësohet se është Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit, alias (Sidorel Prendi), i cili u vra më 9 maj të vitit 2024 në Athinë. 65-vjeçari mësohet se është ekzekutuar në lokalin që ai kishte në pronësi. Policia ndërkohë ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të atentatit dhe kapjen e autorëve.

"Policia e Lezhës ka dhënë njoftim zyrtar mbi vrasjen mafioze të Gjovalin Prendit, ndodhur këtë mbrëmje pranë biznesit të tij. Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë”, sqaron policia.

Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes", njofton policia. 

Kush ishte Roan Brahimi?

Emri i tij është përfolur për implikime në ngjarje të bujshme kriminale në Shqipëri. Sakaq, Roan Brahimi është i dyshuari kryesor i masakrës së Milotit, ku pas breshërisë me armë mbeti viktimë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Ibrahimi (Brahja), krahu i djathtë i Ervis Martinajt.

Roan Brahimi kishte konflikt me Ylli Ibrahimin, për shkak të një borxhi të pashlyer. Roan Brahimi u shpall në kërkim edhe për ngjarjen e ndodhur në 2021, ku u futën në ambientet e një lokali në Zejmen të armatosur.

Në atë kohë në kërkim u shpallën edhe Ramazan Rraja, dhe Alesio Dobrozi. Ai po ashtu dyshohet se ka qenë i përfshirë në atentatin ndaj Brilant Martinaj, kushëriri i Ervis Martinajt. Ky i fundit rezulton i zhdukur prej muajit gusht të vitit 2022 dhe ende nuk ka informacion mbi fatin e tij.

Bashkë me Brilant Martinaj humbën jetën dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, të cilët u ekzekutuan egërsisht. Ngjarja kriminale ndodhi më 17 korrik në 2022 në mbikalimin e Fushë-Krujës. Nuk e dimë nëse ngjarja sot është po pjesë e sagës së hakmarrjes./Pamfleti

Lini një Përgjigje