TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Maj 2026, 14:08

Trump i paaftë mendërësisht për të drejtuar SHBA-në, duhet të shkarkohet nga detyra

Shkruar nga Daniel Bates
Trump i paaftë mendërësisht për të drejtuar
Avokati Ty Cobb dhe Donald Trump /

Ish avokati i tij në mandatin e parë, Ty Cobb mendon se gjendja mendore e presidentit amerikan është përkeqësuar ndjeshëm, duke e bërë atë të papërshtatshëm për ushtrimin e funksioneve zyrtare. Sipas Cobb, rrethimi nga servilë dhe mungesa e kontrollit mbi impulset e tij përbëjnë një rrezik real për demokracinë amerikane por edhe për botën...

Ish-avokati i Donald Trumpit ka bërë thirrje për largimin e menjëhershëm të presidentit amerikan nga detyra, duke deklaruar se ai është shndërruar në një “të çmendur”.

Ty Cobb, i cili punoi ngushtë me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë, pretendoi se “gjendja mendore e Presidentit është përkeqësuar ndjeshëm”, deri në pikën ku ai tashmë është plotësisht i papërshtatshëm për të ushtruar funksionet e tij.

Në një intervistë ekskluzive për The i Paper, Cobb u shpreh se mandati i dytë i Trumpit është “i frikshëm dhe distopik”, sepse presidenti është i rrethuar vetëm nga njerëz që e mbështesin verbërisht dhe që nuk kanë vullnetin apo aftësinë për të kontrolluar impulset e tij.

Cobb paralajmëroi se presidenti 79-vjeçar, personi më i moshuar që ka mbajtur ndonjëherë këtë post, duket se po bëhet gjithnjë e më i “dëshpëruar” dhe i rrezikshëm teksa vazhdon luftën me Irani.

Pavarësisht një armëpushimi të brishtë, si SHBA-ja ashtu edhe Irani po bllokojnë ngushticën strategjike të Hormuzit, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë në mbarë botën dhe duke kërcënuar një përshkallëzim katastrofik.

“Në SHBA kemi tani një krizë të vërtetë. Presidenti është shndërruar në një ‘diktator’ që po shkatërron demokracinë tonë”- thekson Cobb. Trump po përballet me pyetje të reja mbi shëndetin e tij mendor për shkak të sjelljes gjatë luftës me Iranin, të cilën e nisi së bashku me Izraelin më 28 shkurt.

Kritikët e Trumpit kanë veçuar një postim famëkeq në rrjetet sociale, ku ai paralajmëronte se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte” nëse do të skadonte afati i parë për bisedimet e paqes. Kur kishin mbetur vetëm pak orë, ai e shtyu këtë kërcënim për dy javë.

Që atëherë, ai e ka shtyrë sërish afatin, por raportet sugjerojnë se po informohet mbi planet për goditje të reja “të shkurtra dhe të fuqishme” për të thyer ngërçin aktual në bisedime.

Një tjetër paralajmërim i Trumpit drejtuar Iranit - “Hapeni dreqin atë ngushticë, o të çmendur, përndryshe do të jetoni në Ferr!” - ka nxitur një valë të re shqetësimi mbi aftësinë e tij mendore për të qëndruar në detyrë.

Muajin e kaluar, kongresmeni Jamie Raskin, demokrati kryesor në Komitetin e fuqishëm të Drejtësisë, i dërgoi një letër Shtëpisë së Bardhë duke kërkuar një ekzaminim të plotë neurologjik të presidentit, për shkak të “alarmit të thellë dhe në rritje për gjendjen e tij mendore”.

Ai përmendi veçanërisht “shenja që përputhen me demencën dhe rënien e aftësive njohëse”, si dhe shpërthimet e Trumpit që po bëhen “gjithnjë e më të paqarta, të paqëndrueshme, vulgare dhe kërcënuese”.

Cobb e përfaqësoi Trumpin gjatë presidencës së tij të parë në vitin 2017, gjatë hetimit të këshilltarit special Robert Mueller mbi lidhjet e dyshuara me Rusinë. Ai është një nga të paktët avokatë që doli pa u dëmtuar profesionalisht nga periudha e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, kohët e fundit ai është kthyer kundër presidentit. Cobb shpjegoi se gjatë mandatit të parë, ata zhvillonin diskutime “thelbësore” dhe takoheshin përditë. Sipas Cobb, në atë kohë kishte njerëz rreth presidentit që guxonin t’i thoshin “jo”, duke e paralajmëruar nëse diçka që ai synonte të bënte ishte e paligjshme apo jo presidenciale.

Ai theksoi se zyrtarë si ish-shefi i stafit, gjenerali John Kelly, dhe ish-ambasadorja në OKB, Nikki Haley, e orientonin presidentin, dhe ai duke pasur mungesë përvoje, i ndiqte këshillat e tyre.

“Sot situata është krejt ndryshe, sepse në Shtëpinë e Bardhë nuk ka mbetur askush që e ndihmon presidentin të veprojë ligjërisht apo moralisht”- thotë Cobb. Ai përmendi figura si Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, dhe ish-prokurorja e përgjithshme, Pam Bondi, si pjesë e një “kakistokracie” - një qeverisjeje e përbërë nga njerëzit më pak të kualifikuar.

“Trump e krijoi këtë strukturë për shkak të kufizimeve që hasi herën e parë. Tani ka vetëm mashtrues dhe servilë. Ky nuk është një devijim i thjeshtë nga normat. është diçka e paprecedentë në historinë amerikane. Dhe kjo na ka bërë të cenueshëm brenda dhe jashtë vendit, duke thelluar ndarjet brenda vendit”- shton ai.

Një ndryshim tjetër i madh sipas Cobb, është rënia mendore e Trumpit. Ai pajtohet me analizat e mjekëve si psikologu John Gartner, të cilët thonë se presidenti amerikan po shfaq shenja të rënies së lobit frontal dhe demencës.

Dhe e kombinuar me atë që ai e quan “narcizëm malinj”, kjo krijon një përzierje shpërthyese. “Narcizmi ka qenë gjithmonë problem për të. Por në mungesë të kontrollit të impulseve që siguron lobi frontal, ai sillet plotë egërsi. Prandaj shohim hakmarrje, korrupsion dhe abuzime me pushtetin. Nuk ka pasur kurrë më parë një president që shpallte krime lufte në orën 4 të mëngjesit apo që tallej me figura si Robert Mueller”- nënvizon më tej ish-avokati i tij.

Cobb përmend edhe fyerjet që Trump i drejtoi regjisorit Rob Reiner pas vrasjes brutale të këtij të fundit dhe bashkëshortes së tij. Trump pretendoi se Reiner u vra “për shkak të zemërimit që kishte shkaktuar te të tjerët përmes sëmundjes së tij mendore, të njohur si Sindroma e Çmendurisë nga Trump”.

“Ky është një njeri që ka vërtetuar se është përtej çdo aftësie për të ushtruar ligjërisht detyrën” - shtoi Cobb, duke theksuar se duket sikur “qeverisemi nga një i çmendur”.

Sipas tij, gjendja mund të rëndohet edhe më shumë, duke qenë se popullariteti i Trumpit ka rënë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 32 për qind miratim nga publiku. Cobb vuri në dukje edhe postimet e shfrenuara gjatë natës, ku presidenti postoi 18 herë brenda 3 orësh deri në orën 3 të mëngjesit, një sjellje aq e paqëndrueshme sa e bën edhe Joe Biden të dukej më mirë.

“Në fund të presidencës së tij, Biden nuk ishte i përshtatshëm dhe përkeqësimi i aftësive të tij mendore ishte i dukshëm. Por kjo është diferenca mes plakjes normale dhe një narcisti malinj. Kur u dobësua kontrolli i Biden mbi sjelljet e veta, ai u bë një gjysh i plakur. Kur kjo gjë ndodhi me Trump, ky u bë shumë më i rrezikshëm”- përfundon ish-avokati./Pamfleti nga “The i Paper”

ty cobb donald trump

4 Komente

  1. N
    Nuku

    Shume nga te ashtuquajturit "aleate, besnike, te ndershem et.," ne nandatin e pare è kane tradhetuar Trump gjate atij mandati. Te pakten mesoi pasi i njohu mire se çfare plehrash ishin. Mandatin e dyte e ka fituar bindshem pa keta plehra. Edhe nje gje, a keni shkruar ju te pamfletit ndonjere per ate gjyshin e meoarshem.... sa edhe te vetet e akuzuan per rende te shpejte mendore. Per Trump nuk keni lene gazete higjen8ke pa germuar mjafton qe te shkruaje gjithshka te pavertete per Trump.

    1. A
      A

      Stalini ishte kriminel, por jo i çmendur. Ky, udhëheqësi i demokracisë të kulluar, është dhe kriminel dhe i çmendur.

      1. S
        Sas

        Sa qenkeni merzitur o komunista

        1. T
          Tony

          Pse nuk e dinte ky avoqeti se cfare kapaciteti kishte klienti tij qe ne fillim!? Silluni mire se populli kupton shume e kur t'i vije uji ne gryke do ndodhe ndonje gje e tmerrshme si dikur ne Rusi ne 1917.

          Lini një Përgjigje