Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilëson si “bombë atomike ekonomike” bllokadën iraniane në Ngushticën e Hormuzit. Por ky nuk është autogoli i vetëm i Uashingtonit…
Sekretari amerikan i Shtetit e ka identifikuar saktë problemin: Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një “armë atomike ekonomike”, të cilën regjimi iranian po e përdor kundër botës. Jo vetë ngushtica, sigurisht, por bllokada që Irani ka vendosur në këtë korridor detar me rëndësi të madhe për ekonominë globale.
Por kush ia dha Teheranit këtë armë?
Përgjigjja është e qartë: qeveria amerikane, në emër të së cilës flet Rubio. Në të kaluarën, Irani nuk guxonte ta mbyllte ngushticën, edhe pse të gjitha palët e dinin se kjo mundësi ekzistonte. Thuhet se edhe Trump ishte i vetëdijshëm për këtë. Regjimi e përdori këtë mjet vetëm në momentin kur e pa të rrezikuar mbijetesën e tij.
Askush që mendon në mënyrë strategjike dhe që ka ndjeshmëri për popullin iranian nuk do të mbrojë vazhdimin e këtij regjimi. Megjithatë, fakti që Trump tani duhet të negociojë për rihapjen e një rruge detare, që ishte e lirë para sulmit amerikano-izraelit, përbën një bilanc të hidhur në një luftë ku ai tashmë e ka shpallur veten fitimtar.
Edhe për programin bërthamor real të Iranit, që mund t’i japë Teheranit një armë edhe më të fuqishme, Trump përballet me një problem që e ka krijuar vetë.
Uraniumi i pasuruar në nivel të lartë, të cilin tani Irani duhet ta dorëzojë, me shumë gjasa nuk do të ekzistonte fare nëse Trump nuk do ta kishte prishur marrëveshjen bërthamore gjatë mandatit të tij të parë.
Për një fuqi botërore, këto janë shumë autogola. /Përshtatur nga FAZ/
Lini një Përgjigje