TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Korrik 2023, 22:07

Rama si Nastradini

Shkruar nga Dritan Goxhaj

Rama si Nastradini

Belinda dhe Rama, në asnjë mënyrë nuk do e lejonin që edhe Air Albania të tërhiqej nga Kukësi, pasi kjo do të sillte një dështim edhe politik për qeverinë e tyre dhe për ta personalisht.

Një herë e pyetën Nastradinin: Nastradin ku është mesi i botës?

Dhe ai ju përgjigj “Aty ku e kam lidhur unë gomarin”.

Nëse ju kujtohet vjet Kryeministri ynë e kish lidhur gomarin në aeroportin e Kukësit. Kish vendosur me çdo kusht të sillte aty, si thoshte ai “Ҫunat e Londrës”. Dhe për këtë organizoi edhe një goxha show të madh ku në ceremoninë e rastit Rama deklaronte “Dua ta falenderoj drejtorin e kompanisë Wizz Air për gatishmërinë për ta parë Kukësin si një mundësi, sepse në fillim ai ishte skeptik, por pastaj e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit”.

Ndërsa drejtori ekzekutiv i Wizz Air deklaronte ”Nga Kukësi do të lidhemi me Vjenën, Mynihun, Baden dhe me Bazelin”.

Dhe sipas tij këto destinacione do të kryheshin çdo javë.

Por që atëherë e deri më sot kjo kompani realizoi nga aeroporti i Kukësit vetëm një flutrim në javë dhe atë vetëm gjatë muajve të verës, pasi në dimër aeroporti qëndron i mbyllur.

Dhe pasi ka kaluar një vit nga show i Kryeministrit në Kukës, kompania Wizz Air deklaron në fillim të kësaj jave që po lëmë pas se “Wizz Air konfirmon se pas një shqyrtimi dhe analize të kujdesshme, ne kemi vendosur të PEZULLOJMË operimet për/dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit (KFZ) si rezultat i sfidave të paraqitura nga mjedisi i jashtëm, në veçanti terreni dhe moti, që ndikojnë në performancën operacionale të biznesit tonë dhe çojnë në ndërprerje të klientëve”.

Kompanisë ju deshën një vit që më në fund të kuptonte se për këtë tip avioni me të cilin operon kompania, A320 është i pamundur fluturimi për shkak të terrenit dhe kushteve klimaterike. Dhe këto te dyja janë të lidhura ngushtësisht me njëra tjetrën.

Edhe në një shkrim të mëhershëm e kam theksuar që aeroporti i Kukësit hyn te aeroportet që kategorizohen si të një vështirësie të lartë të cilët në fushën e aviacionit njihen si aeroporte të kategorisë C. Dhe sipas ICAO-Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil fluturimi në kësi lloj aeroportesh duhet të kryhet nga pilotë të trajnuar specifikisht për këtë tip aeroporti si dhe për shkak të kushteve të vështira metereologjike duhet të kryhet në kushte instrumentale, pra me anë të instrumentave.

Ndërkohë që fluturimi në Kukës kryhej vetëm në kushte vizuale. Por që ai të kryhet me instrumenta duhet që edhe aeroporti të jetë i paisur me një sistem të veçantë që quhet ILS Instrument Landing System- Sistem i uljes me instrumenta. Por aeroporti i Kukësit nuk e posedon një sistem të tillë. Kompania që e posedon këtë aeroport, nuk ka preferuar ta bëjë një investim të tillë. Investim i cili kushton 30 milion dollarë, aq sa ka kushtuar gjithë investimi në vetë aeroportin e Kukësit.

Por që fluturimi të bëhet vizual ai duhet të kryhet sipas disa rregullave të veçanta ku piloti duhet që të jetë në gjendje të shohi jashtë kabinës së pilotimit, të kontrollojë lartësinë e avionit, të lundrojë duke shmangur pengesat e ndryshme natyrore si male, kodra, ndërtesa dhe pemë.

Dhe duke qenë se edhe te ne aplikohen rregullat e Evropës të cilat njihen si Rregullat e Standartizuara Evropiane të Ajrit ku sipas të cilave përcaktohet se: avioni duhet të fluturojë në një lartësi minimale prej 150 m mbi çdo pengesë brenda një rreze prej 150 m, përveç me leje, ose kur ngrihen dhe ulen. Nëse një avion po fluturon mbi një zonë të mbingarkuar (qytet ose vendbanim) ai duhet të fluturojë mjaftueshëm lart, në mënyrë që në rast të dështimit të motorrit, të jetë në gjendje të zbresë në mënyrë të sigurt dhe nuk duhet të fluturojë më pas se 300 mbi objekt më të lartë brenda 600 m nga avioni.

Dhe po sipas këtyre rregullave në fluturim vizual, avioni duhet të qëndrojë 1500 m larg çdo reje horizontalisht dhe 300 m vertikalisht.

Duke u munduar të bëjë gjithë këto lloj cirqesh një avion i tillë 65 tonë do të shmanget nga kursi i fluturimit në Kukës dhe nuk do të ulet dot. Ose do të rrezikojë uljen duke sjellë edhe rreziqe të mëdha si për avionin dhe pasagjerët në të, por edhe për vetë kompaninë dhe aeroportin.

Pas një viti Wizz Air me gjithë dëshirën e tyre u detyruan që të nxjerrin bllof edhe ministren e infrastrukturës, Belinda Ballukun ku në 2019 deklaronte “Pozita e mirë gjeografike dhe rëndësia e zhvillimit të këtij Aeroporti ka tërhequr vëmendjen e linjave të mëdha Low Cost, ndër të cilat mund të përmendim Wizz Air”, si dhe vetë Ramën në pjesën e tij të deklaratës “e gjithë analiza e bërë rezultoi në favor të aeroportit”.

Tashmë në Kukës fluturon vetëm kompania ajrore Air Albania me vetëm një fluturim në javë dhe me një avion të njëjtë të tipit A320. I cili fluturon në të njëjtat kushte që flutronte Wizz Air, por duke qënë se kjo është kompani Shqiptare, nuk mund të tërhiqet nga Kukësi ashtu si Wizz Air, pasi ajo është nën komandën dhe kontrollin e Belindës dhe të Ramës. Dhe këta në asnjë mënyrë nuk do e lejonin që edhe Air Albania të tërhiqej nga Kukësi, pasi kjo do të sillte një dështim edhe politik për qeverinë e tyre dhe për ta personalisht.

Ndaj edhe një javë pas tërheqjes së Wizz Air nga Kukësi as njëri e as tjetri nuk janë ndier që të thonë ndonjë fjalë për këtë të vërtetë që ka deklaruar Wizz Air.

Kur e pyetën Nastradinin: Nastradin ku është e vërteta?

Ai u përgjigj: “Pse a ka të vërtetë që tu them ku ndodhet”.

rama nastradini

Lini një Përgjigje