Përballë një Lindjeje të Mesme të karakterizuar nga konfliktet, një pyetje po shtrohet më pak nga sa duhet në të vërtetë: çfarë do të ndodhë nëse Irani arrin të pajiset me bombën bërthamore?

Zakonisht këtë mundësi nuk e marrin parasysh as demonstratat që mbahen në emër të paqes, të mësuara të heshtin ndaj faktit se lufta në Gaza shpërtheu për shkak të Hamasit, dhe as debatin publik mbi ndryshimet e ardhshme të rajonit. Megjithatë kjo do të ishte një ngjarje me rëndësi të madhe.
Pasi nëse Republika Islamike e Iranit do të bëhej një fuqi bërthamore, do të ndikoheshin shumë strukturat dhe ekuilibrat e fuqisë në mbarë botën, duke përfshirë rajonin e Mesdheut. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) Rafael Grossi, deklaroi javën e kaluar se Teherani po i përshpejton operacionet për pasurimin e uraniumit në masën 60 për qind.
Pra distanca nga masa 90 për qind, niveli i kërkuar për të pasur një armë atomike, rrezikon që të bëhen më e shkurtër. “Situata është shumë shqetësuese”- theksoi Grossi. Sa më shumë përparon shkalla e pasurimit, aq më i thjeshtë bëhet procesi, dhe zvogëlohet numri i centrifugave që nevojiten për ta kryer atë.
Ajo që ka ndodhur prej vitesh në Lindjen e Mesme, dhe që po ndodh tani në Damask, konfirmon vlefshmërinë e një ligjësie: politika nuk e njeh boshllëkun. Ishte shterimi i ndikimit të Bashkimit Sovjetik, ai që e zgjeroi hapësirën për përdorimin e veprimeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara kundër Irakut.
Ishte kolapsi i regjimit irakian të Sadam Huseinit i shkaktuar nga forcat anglo-amerikane, ai që i dha mundësi Teheranit të zgjeronte ndikimin e tij në Lindjen e Mesme. Ai boshllëk e lejoi Iranin të kishte një peshë vendimtare, fillimisht mbi një shtet me të cilin kishte luftuar në vitet 1980- 1988-ën, pastaj drejt Mesdheut.
Në Sirinë e copëtuar nga një luftë civile, dhe në Liban përmes Hezbollahut. Fuqia njerëzore e armatosur e Partisë Libaneze të Zotit, i dha një nga shtyllat mbështetëse regjimit të pasigurt të Bashar Al Assadit. Ishte boshllëku i krijuar nga sulmet e Izraelit ndaj Hezbollahut, ai që lejoi një grup milicish islamike të merrte kontrollin ditët e fundit mbi pjesën më të madhe të Sirisë.
Koha do të sqarojë më qartë, se në çfarë përmasash kanë qenë manovrat e Turqisë dhe shteteve arabe. Megjithatë, në dallim nga disa muaj më parë, hegjemonia iraniane duket aktualisht e dobësuar. Dhe për muaj të tërë, një zhurmë e turbullt në Lindjen e Mesme është theksuar nga një lloj tjetër zbrazëtie: të panjohurat mbi efektet e ndryshimit në presidencën e Shteteve të Bashkuara midis Joe Bidenit të provuar, dhe një Donald Trumpi më pak të parashikueshëm në mandatin e tij të dytë.
Me ngushtimin e shtigjeve për një rritje horizontale të ndikimit të tyre dhe zgjerimin e kufizuar në terren, Ajatollahët e Teheranit mund të nxiten që ta provojnë ta bëjnë atë me terrorizmin jashtë vendit, dhe në një përmasë vertikale: duke rritur forcën frenuese të forcave të tyre të armatosura me një kapacitet luftarak të ndërtuar në shtëpi.
Zotërimi i bombës bërthamore, do ta rriste rëndësinë politiko-ushtarake të Iranit. Do të ishte një ndryshim kursi në histori. Sepse shkatërrimi i Izraelit do të ishte një objektiv jo vetëm i një fuqie rajonale, por edhe i një fuqi bërthamore. Në një pjesë të botës të mësuar me goditjet, shteti hebre nuk do të ishte i vetmi që do të kishte bomba atomike.
Në atë skenar, do të gjenin stimuj edhe tundimet e Arabisë Saudite për t’u pajisur me këto armë. Shmangia e garës së re të armatimeve është një objektiv i fisëëm, përveçse nëse kjo i afrohet më shumë vetëdëmtimit dhe nëse prej saj përfitojnë armiqtë aktualë ose të ardhshëm.
Prandaj do të ishte e nevojshme të kihet në vëmendje edhe riarmatimi i të tjerëve. Bordi i Guvernatorëve të IAEA, miratoi nën nëntor një ndalim ndaj Iranit për shkak të rritjes së pasurimit të uraniumit. Vota pro kësaj mase ishin 19. Kundër ishin 3. Abstenuan 12 të tjerë (një detaj ky shumë shqetësues).
Ministria e Jashtme dhe Organizata iraniane e Energjisë, kanë njoftuar se në kundërpërgjigje të kësaj mase, kanë urdhëruar “nisjen nga puna të një serie të konsiderueshme centrifugash të reja dhe më të përparuara”. Sipas Teheranit, uraniumi do të përdoret për qëllime civile.
Njëkohësisht, zëvendësministri i Jashtëm Mayid Tajt Ravanchi kërcënoi se nëse do të rivendosen të gjitha sanksionet e para 2015-ës, vendi i tij mund të shkëputet zyrtarisht nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore.
Nuk mund të përjashtohet mundësia që Ajatollahët të tërheqin nga pas fijet, për të tentuar një negociatë të mundshme me Donald Trump, sapo ai të marrë detyrën. Gjithsesi, janë vënë në lëvizje shtetet që synojnë të ndryshojnë ekuilibrat ndërkombëtarë në dëm të Perëndimit.
Ndërsa Koreja e Veriut po e furnizon Rusinë me armë dhe trupa për luftën e saj kundër Ukrainës, vuri në dukje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Moska po i jep Phenianit raketa dhe teknologji atomike. Duhet të pengohet që “litari” iranian, të kthehet në një lak për sigurinë e të tjerëve. Përfshirë edhe tonën./Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje