TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Qershor 2024, 10:10

Kronikë nga kafeneja e Parlamentit!

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Kronikë nga kafeneja e Parlamentit!

Deputetët zengjinë kishin marrë rrugën e Gjermanisë për të parë ndeshjet ne fakiret mbrëmë këtu si kukudhër. Toni Gogu me ndenji rëndë dhe mvrenjtej gjithnjë e më shumë që ti dilnin rrudhat në pah. Ai nuk e di që Babua i ka zët ata që kanë rrudha shumë në kokë sidomos.

Salianji sot i shikonte deputetët me kërshëri studimore. I ulur në qoshe të kafenesë, i thërriste një nga një sidomos ata që shfaqeshin të qetë e të patrazuar. Ajo bunacë e pezmatonte, dallgët i bënin derman. Secilit i ofronte shqetësimin që i mungonte.

Pas bisedave më të ai që vinte i gëzuar kthehej i murrëtyer, paqartësia i shndërrohej në hall, mendimi në faj, rehatia në vuajtje, dyshimi në bashkëudhëtar, siguria bëhej hi e pluhur, i afërti dukej i largët. Gjithesa e bënte duke lëshuar hukama gazi e kënaqësie. Atij që kërkonte faljen e këshillonte që hakmarrja është udha, kujdo që lypte gjumë i jepte ilaçe pagjumësie, kush kishte etje e qeraste me kripë! Kush pyeste për receta dobësimi e mësonte qysh të shëndoshej. Dikë e vinte në listë lart, një tjetër e ulte poshtë. Nja 20 nga të PS-së u binden që nuk do jenë pasi u dha arsyet pse madje ju gjeti dhe zëvëndësuesit që të ndiheshin mirë e të motivuar në vazhdim.

Po ç’bën kështu o njeri i mirë e pyes! Eh more i uruar mu gjegj “politika është biznes konflikti” dhe vët vët i dallashonte gjërat qerrata dhe sytë i shkëlqenin si një shknjallë a dreqage në agim.

Doktor Tritani në intimitet me veten po gjerbte një kafe i gëzuar pas marrjes së vulës. Pat një ankth, mbase drojë e natyrshme gjirokastritësh se mos dikush i ulej aty. Do i duhej të hiqte një kafe plus por askush nuk e bezdisi. Në fund pagoi veç një. Me një ndjenë lehtësie na përshëndeti bujarisht. Bledion Nallbati dukej si një kalorës që i varej koka dhe këmbët nga boshllëku. Një përshtjellim si dron i vërtitej mbi aurë. Mungesa e Mamicës prej tij ishte përjetuar si qefin.

Kjo është jetë nallane e viranë shfrynte si gjyryk. Asgjë nuk ja qetonte dalldinë. Çdo plagë do melhemin e vet. I thoja pi ndonjë gjë! Ai- nuk më pihet! Cimbis ndonjë gjë! Ai- nuk më hahet. Shafran më duket Bota, i zi qielli dreqër të gjithë ju bashkë rënkonte.

Gaz Bardhi Lideri në perspektivë po e shihte vënger dhe tundte kokën duke thënë “vapë ka lojtur nga fiqiri, duhet thirrur Bernard Banushi shikimet e vëngerta të të cilit bëjnë esëll edhe më të pirin”.

Sipër mbi koke na rrinte televizori prej të cilit shquhej Ermua që drejtonte me grusht të hekurt si në një luftë klasash. Një gëzim i egër i rrinte mbi ballë si puçërr sa herë i cungonte dikujt një të drejtë. Nuk lë rast e uruara pa dëshmuar që ç’është keq mund të bëhet edhe me keq, se çfarë është mirë prishet sa hap e mbyll sytë, ndaj gëzohuni asaj që kini.

Deputetët e opozitës ishin të paktë. Mungesa e Kryezëvëndës Liderit Muli si pasojë e ndëshkimit u kishte rënë të gjithëve si e dehura në stomak e krye. Ata mendonin ai kryqëzohet për kauzën tonë dhe ne rrimë e kapardisemi si bimbasher këtu dhe kjo nuk na ka hije. Por ai si një Hyqymet zemërgjërë kishtë thënë sakrifica është misioni im, rutina dhe përditshmja i juaji.

Shefe Albana dhe Shef Oerdi dukeshin hijerëndë e solemn si koha në një përpjekje për të shfaqur autoritet por edhe xhentilesë të përmbajtur njëkohësisht. Mos prania fizike e Kryezëvëndës Liderit ne, mua të parit, zëvëndës liderit e vegjël na shtyn në ngasje, në kaplim vesi, në yshtje dhe garë të dukuri. Ndërsa e kundërta na tregon jorganin për të shtrirë këmbët, tavanin ku ndalet koka dhe sensin rracional të hierarkisë.

Deputetët zengjinë kishin marrë rrugën e Gjermanisë për të parë ndeshjet ne fakiret mbrëmë këtu si kukudhër. Toni Gogu me ndenji rëndë dhe mvrenjtej gjithnjë e më shumë që ti dilnin rrudhat në pah. Ai nuk e di që Babua i ka zët ata që kanë rrudha shumë në kokë sidomos. Suksesi qëndron tek mungesa e tyre dhe të shtirurit sikur ato janë. Bela edhe pse nuk e kishte Taon në krah atë bahçevan qyfyresh dukej sikur po i shijonte shumë vetmia dhe boshatisja e përgjithshme. Me gjasë po përgatitej shpirtërisht për përqafimin e madh me xha Namikun në darkë në 83 vjetorin e PPSH.

Gjeneral Kollçaku foli por pas çdo fjalie kishte dilemën, “po pse nuk është më mirë të hesht?”! Nasipi me uroi për vulën. I thashë ta shpërblefsha njësoj. Petrua nuk e humbi rastin të sillej si një debatikas i vërtetë. Ismet Beqiri me sy të zgurdulluar ëndërronte një hije mani në Mallakastër tek dëgjonte këmboren e cjapit me një putir e një sy gjumë! Bujari i Lushnjes hapte me gojë dhe i kendej një shalqi ta çante vetë në mes të arës. Evis Kushi buzëqeshte në kërkim të një kauze. Olta është gjithnjë e më e lumtur në fund sesa në fillim të ditës. Majkos çdo ditë që kalon i zvoglon sasinë e mendimeve. Dje gjindej pa to. Po Jorushi i Tabakëve mes unit dhe realitetit çfarë zgjedh? Dikush tha Gaz Bardhin Gaz Bardhin! Mua askush nuk më do vetëm Bora çoku më hedh ndonjë shikim të dhëmshur mëshire.

kronikë kafene parlament

Lini një Përgjigje