TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Tetor 2024, 14:42

Izraeli duhet ta godasë Iranin aty ku i dhemb më shumë

Shkruar nga Edward Luttwak

 Izraeli duhet ta godasë Iranin aty ku i dhemb më shumë

Çfarë do ta rrëzonte regjimin teokratik: nëse zhdukja e të ardhurave nga nafta, do të çonte në rrëzimin e regjimit të Ajatollahëve, ai që do të festonte nuk do të ishte vetëm Netanyahu...

          Përgjatë historisë së tij të hershme - por jo 4 dekadat e fundit - kërcënimet kryesore për sigurinë e Izraelit vinin nga fqinjët e tij arabë. Kjo çoi drejt shpërthimit të disa luftërave kundër Egjiptit, Jordanisë, Sirisë dhe Irakut. Por me përjashtim të Jordanisë, armiqtë arabë të Izraelit ishin në fakt përfaqësues të një kërcënimi shumë më të fuqishëm:Bashkimit Sovjetik.

Për ta zbehur ndikimin e Amerikës në Lindjen e Mesme, Moska furnizoi me mijëra tanke dhe qindra avionë Kajron, Damaskun dhe Bagdadin. Mijëra teknikë dhe ekspertë sovjetikë të trajtimit shkuan në rajon për të ndihmuar në përgatitjen e ushtrive lokale, edhe pse oficerët arabë ishin shkolluan në akademitë ushtarake sovjetike.

Dekadat e para, ai ishte një kërcënim i madh për mbijetesën e Izraelit si shtet. Megjithatë në atë kohë, askush nuk e konsideroi mundësinë për ta goditur drejtpërdrejt vetë Bashkimin Sovjetik. Përveç sigurisë së një kundërpërgjigjeje hakmarrëse të fortë, Izraeli nuk kishte ndonjë objektiv konkret për të goditur, edhe nëse forcat e tij të vogla ajrore do të arrinin të depërtonin në hapësirën ajrore sovjetike.

Por sot gjithçka është ndryshe. Milicitë shiite, të cilat e kanë shënjestruar Izraelin prej vitesh, dhe që i përshkallëzuan shumë sulmet e tyre pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023 në Izraelin Jugor, janë tërësisht të armatosura dhe të drejtuara nga Irani.

Kjo është e vërtetë në mbarë Lindjen e Mesme, nga Hezbollahu në Liban dhe Huthit në Jemen, deri tek 2 grupime militante në Irak. Por në dallim nga Bashkimi Sovjetik dikur, Teherani nuk la ndonjë imunitet nga veprimet izraelite. Pika e dobët kryesore janë paratë që Irani u jep milicive.

Luftëtarët shiitë të Irakut, mund të zhvatin disa para nga të ardhurat që nxjerr vendi nga nafta. Nga ana e tij Hezbollahu, merr disa fonde nga blerësit shiitë të diamanteve në Sierra Leone dhe nga kontrabandistët në Amerikën e Jugut.

Por me kalimin e viteve, ai dhe organizatat e tjetra të ngjashme në rajon, janë bërë gjithnjë e më të varur nga fondet që marrin nga pagatorët e tyre në Teheran. Por edhe ato fonde, do të nisin të mbarojnë, sepse edhe më të përkushtuarit ndaj kauzës së Teheranit, duhet të marrin pagën e tyre për të ushqyer familjet e tyre.

Ky është më qartë rasti në Jemen, një nga vendet më pak produktive në botë, ku Huthit financohen nga pagesat mujore që marrin luftëtarët nga Irani. Por edhe Hezbollahu, është bërë më i varur nga aleati i tij iranian, edhe sepse zhvatja e të ardhurave nga aeroporti dhe doganat ka sjellë gjithnjë e më pak të ardhura për shkak të zhytjes së Libanit në varfëri.

Dhe e gjithë kjo do të thotë se të ardhurat e Iranit nga eksporti, duhet të shkojnë tani për të paguar një listë të gjatë shpenzimesh ushtarake jashtë vendit, në dollarë amerikanë dhe jo me rialët e shtypur në vend. Përtej mirëmbajtjes së aleatëve të huaj duke filluar nga Hezbollahu, janë edhe shpenzimet e mëdha të Gardës Revolucionare Iraniane, me 125.000 trupat e saj si dhe një forcë detare.

Këtu përfshihen edhe shpenzimet për importet e elementëve përbërës të raketave kineze dhe koreano-veriore, si dhe kostot në valutë të gjithë programit bërthamor, i cili vazhdon në një shkallë shumë të gjerë. Në praktikë, shumica e këtyre parave vijnë nga një burim i vetëm:nafta. Është e vërtetë që fermerët iranianë kultivojnë arra fëstëk dhe prodhime të tjera bujqësore të eksportueshme, dhe se ka disa eksporte të tjera të rëndësishme, edhe pse qilimat e famshëm të Tabrizit kanë dalë tashmë jashtë modës.

Megjithatë, në buxhetin e fundit, nafta përbënte 83 për qind të eksporteve të Iranit. Nga ana e tyre, tregtarët që eksportojnë eksportet bujqësore dhe artizanale të Iranit, priren të mos e rifutin në vend valutën e huaj që fitojnë, pasi e përdorin atë për importet që sjellin.

Edhe pse lavdërohen shumë nga propaganda e regjimit, eksportet industriale të kontrolluara nga shteti mbeten të pakta. Pra, fluksi i dollarëve që mbështet armiqtë e Izraelit, dhe që u ka shkaktuar kaq shumë telashe interesave perëndimore, nga shkretëtira siriane deri në Detin e Kuq, buron pothuajse tërësisht nga nafta e ngarkuar në cisterna në terminalin e eksporteve në ishullin Khark, një copë toke rreth 25 kilometra larg bregut jugor të Iranit.

Benjamin Netanyahu, paralajmëroi në fjalimin e tij të fundit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se “krahu i gjatë” i Izraelit mund t’i arrijë edhe ata. Në fakt, vendndodhja e Khark në Gjirin Persik është relativisht e afërt. Distanca 1.516 kilometra nga baza kryesore ajrore e Izraelit, është shumë më e vogël se terminali kryesor i importit të naftës nga Huthi në Hodeidah të Jemenit, që u shkatërrua nga avionët izraelitë në korrik dhe u sulmua sërish ditët e fundit.

Irani ka bërë shumë përpjekje për të reduktuar varësinë e tij nga terminali i Khark. Kjo jo sepse është shumë afër Izraelit, por sepse ishte shumë pranë Irakut, dhe sepse u sulmua dhe u dogj gjatë luftës Iran-Irak. Rezultati është terminali i ri iranian i naftës në Jask. I pozicionuar në brigjet e Oqeanit Indian, ai është shumë më larg nga Izraeli sesa Khark.

Por ky nuk është një problem për strategët e IDF-së. Nafta mbërrin në Jask nga një tubacion shumë i gjatë, i cili mund të çahet në disa pika që janë edhe më pranë Izraelit sesa ishulli Khark.

Duke pasur parasysh se Izraeli mund të ndërpresë lehtësisht fondet iraniane për Hezbollahun dhe armiqtë e tjerë të tij, atëherë pse nuk i ka goditur eksportet e naftës?

Përgjigja:”për shkak të ligjit Obama”. I shpallur në heshtje, por me shumë forcë nga ish-presidenti amerikan, ai ndaloi çdo sulm izraelit ose amerikan kundër Iranit, edhe pse Republika Islamike ka vazhduar të vrasë ushtarë amerikanë në Irak dhe Jemen, dhe ka vazhduar ta sulmojë Izraelin përmes milicive përfaqësuese të tij.

Madje më 13 prill, Irani sulmoi drejtpërdrejt Izraelin. Nisur nga frika e madhe e Obamës se do të manipulohej për të hyrë në një luftë kundër Iranit, ashtu siç paraardhësi i tij hyri në luftë ndaj Irakut, përpjekja e gjithanshme e presidentit të atëhershëm të SHBA-së për një pajtim historik me Iranin, shpërfilli plotësisht faktin e thjeshtë që sundimtarët fanatikë të Republikës Islamike nuk mund të pajtoheshin me Perëndimin.

Duke qenë se njerëzit e Obamës janë të pranishëm edhe në administratën aktuale Biden, SHBA-ja e ka vazhduar politikën e kufizimit të njëanshëm, të cilën ia imponoi edhe Izraelit. Kjo në një kohë kur regjimi i Ajatollahut, ka vazhduar të shtypë me forcë një opozitë vendase pro-perëndimore, e cila urren sundimin e saj të korruptuar dhe shpërdorues.

Politika e SHBA-së, nuk ndryshoi as kur Irani vazhdoi të godiste aleatët e SHBA-së në Arabinë Saudite dhe gjetkë. Në rastin e fitores së Kamala Harrisit në nëntor, njerëzit e Obamës do të vazhdonin të punonin në Shtëpinë e Bardhë. Dhe kjo krijon shumë pak hapësirë për veprimin e Izraelit kundër Iranit.

Sigurisht, sulmi ndaj një vendi të gjerë prej 91 milionë banorësh, do të ishte një akt i pamatur për Izraelin në çdo rrethanë. Por ndalimi i të ardhurave që arkëton Irani nga nafta - përfitimet nga të cilat i mohohen një populli që po vazhdon të vuajë nga një regjim shtypës, dhe të cilin shumica e iranianëve e kundërshtojnë me forcë - është një çështje krejtësisht tjetër.

Për më tepër, duke pasur parasysh se hiper-inflacioni ka shkaktuar uri tek popullsia urbane të Iranit për herë të parë që nga rënia e Shahut në vitin 1979, një sulm ndaj eksporteve iraniane të naftës, mund të sjellë edhe rënien e regjimit.

Natyrisht, ka shumë variabla midis çdo veprimi që mund të ndërmarrë Izraeli, dhe një pasoje kaq shumë të dëshirueshme. Por nëse zhdukja e të ardhurave nga nafta, do të sillte në fund rrëzimit e regjimit të Ajatollahëve, ai që do të festonte nuk do të ishte vetëm Netanyahu./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”  

Shënim: Edward Luttwak, strateg dhe historian i njohur për veprat e tij mbi strategjinë e madhe, gjeoekonominë, historinë ushtarake dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

izraeli irani lufta

Lini një Përgjigje