Kremlini do ta pëlqente skenarin e krijimit të një zone të çmilitarizuar, dhe që më pas Ukraina të pranojë të mos anëtarësohet në NATO. Dhe kam frikë pasi Putini është më me përvojë, dhe mund të bindë Trumpin që të bëjë atë që ai dëshiron...
Pragmatist dhe i ashpër në vlerësimet e tij, ish-diplomati amerikan John Bolton e njeh shumë mirë Donald Trumpin pasi ka punuar për të në Shtëpinë e Bardhë si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Ai është një nga njerëzit e paktë në Uashington, që guxon të bëjë parashikime për mandatin e dytë të Trump, dhe të parashikojë kthesat e politikës së tij të jashtme. Ne biseduam me të edhe për situatën në Siri, NATO-n, Turqinë dhe luftën në Ukrainë.
Një muaj para marrjes së detyrës, Donald Trump kërcënoi sërish se mund ta nxjerrë SHBA-në nga NATO, nëse aleatët nuk paguajnë më shumë për mbrojtjen. Mendoni se po e përdor këtë kërcënim, si një mjet presioni për rritjen e shpenzimet ushtarake në Evropë në nivelin 3 për qind të PBB-së?
Unë mendoj se ai do të jetë shumë i lumtur, nëse të gjithë anëtarët e NATO-s do të arrijnë fillimisht nivelin 2 për qind, siç kërkohet nga Deklarata e Samitit të Uellsit e vitit 2014. SHBA pretendon që shpenzimet e saj ushtarake të shkojnë nga paksa mbi 3 për qind, ndoshta në nivelet e epokës së Reagan prej 4 ose 5 për qind, dhe ndoshta edhe 6 për qind të PBB-së, me shpresën se do të ulen shpenzimet e brendshme për të pakësuar deficitin.
Dhe nëse SHBA do të shkonte në një nivel 4 ose 5 për qind, mendoj se do të ishte pothuajse e pashmangshme që ne t’u kërkojmë aleatëve evropianë, të bëjnë deri në 3 për qind shpenzime për mbrojtjen. Duke pasur parasysh mjedisin aktual kërcënues në mbarë botën, kjo është ajo që duhet të bëjë në çdo rast qeveria amerikane.
Por problemi më i madh me Trump, nuk janë nivelet e shpenzimeve, por fakti që ai nuk e kupton se çfarë është një “aleancë e mbrojtjes kolektive”. Dhe mënyra se si ai e percepton NATO-n është në thelb “Ne e mbrojmë Evropën, por nuk marrim asgjë prej saj, dhe evropianët nuk paguajnë për të”.
Nëse Trump e shtyn drejt një izolimi strategjik, a rrezon SHBA-ja ta humbasë hegjemoninë e saj globale?
Unë do të doja që ta kishim hegjemoninë globale për ta humbur atë. Mendoj se bota është shumë kaotike. Dhe nëse tërhiqemi, teoria e “izolimit”, që pretendon se nuk do t’i kemi të gjitha këto probleme dhe se ata do të na lënë të qetë, nuk do të realizohet.
Sepse dikush tjetër do ta mbushë atë boshllëk, dhe ai me siguri që nuk do të ketë për zemër interesin e SHBA-së apo aleatëve tanë, qoftë kjo Rusia, Kina apo dikush tjetër. Dhe kjo është një arsye pse jam shumë i shqetësuar për deklaratat e Trump në lidhje me tarifat tregtare në mbarë botën, apo tarifat e veçanta ndaj Meksikës, Kanadasë apo të tjerëve.
Udhëheqësi i grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham në Siri është në listën e zezë të Departamentit të Drejtësisë në SHBA. Teksa doktrina juaj e sigurisë nuk parashikon negociata me terroristët, si e shihni evoluimin e marrëdhënieve me administratën e re siriane?
Nuk ka diskutim që është pozitiv rrëzimi i regjimit të Assadit, pasi përbën një goditje tjetër për ndikimin e Iranit në rajon. Por gjëja e fundit që do të donim të shihnim është një shtet i ri terrorist islamik në Mesdhe. Udhëheqësit e Sirisë, po thonë gjëra që po përpiqen të zbusin shqetësimet e njerëzve, pasi ata kanë nevojë për shumë ndihmë nga jashtë.
Tani për tani, ekonomia në Siri është e shkatërruar dhe mungojnë shërbimet bazë. Ndaj HTS do të përpiqet të mos bëjë ndonjë marrëzi që rrezikon t’i bindë të tjerët se mbetet xhihadiste. Por kjo nuk do të thotë se Shtëpia e Bardhë, do të heqë dorë automatikisht nga qëndrimi që ka mbajtur 15 vitet e fundit.
Për këtë ndryshim ne kemi nevojë për prova reale. Dhe derisa ta shohim atë, unë nuk shoh asnjë arsye për të ndalur atë që bëri Biden gjatë fundjavës, kur bombardoi 75 objekte për t’u siguruar që çdo gjë që ishte atje – armë dhe municione - të mos binte në duart e qeverisë së re.
Përveç kësaj, Izraeli ka neutralizuar Marinën Siriane dhe Forcat Ajrore Siriane, duke goditur objektivat e armëve kimike dhe biologjike, që ato të mos bien në duart e terroristëve. Tani, unë e di se disa njerëz do të thonë: ”Por ju folët edhe për armët e shkatërrimit në masë në Irak!”. Por është më mirë të jemi të sigurt, sesa të shprehim keqardhjen më vonë, kur ndodh gjëma. Ne e dimë se Assad përdori armë kimike kundër popullit të tij. Pra nëse ekzistojnë ende, rezervat duhet të gjenden sa më shpejt që të jetë e mundur.
Me mbështetjen që ka dhënë Turqia për opozitën siriane dhe rrëzimin e Assadit, a prisni që ata të godasin kurdët nga njëra anë, dhe në anën tjetër të vazhdojnë me zhvendosjen e tyre nga territoret veriore të Sirisë?
Unë jam shumë i shqetësuar për kurdët. Kjo praktikë ka vazhduar që nga koha e Perandorisë Osmane, dhe Turqia e sotme mendon se fundi i perandorisë i dha një territor mandatit të francezëve në Siri, që duhej të kishte mbetur nën kontrollin turk. Dhe sot po shohim një përballje midis trupave turke dhe milicisë kurde në verilindje të Sirisë, ose Forcave Demokratike Siriane (SDF).
Forcat kurde u tërhoqën, me sa duket në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga administrata Biden, por unë jam shumë i shqetësuar për rolin e Turqisë. Sepse mendoj se Erdogan ka aspirata neo-osmane në rajon, por veçanërisht gjeografia në Sirinë Veriore ka qenë problematike për Turqinë prej një shekulli.
Cilat janë kërcënimet gjeostrategjike dhe gjeopolitike më emergjente, me të cilat do të përballet Perëndimi vitin e ardhshëm?
Unë jam shumë i shqetësuar për luftën tregtare. Ne nuk kemi pasur një të tillë për një kohë të gjatë, dhe pasi futesh në të, mund të jetë shumë më e vështirë të dalësh. Ngjarjet që imponojnë veprime aktualisht janë Ukraina dhe Lindja e Mesme. Historia po ecën shumë shpejt në këtë të fundit.
Izraeli, SHBA-ja, ose të dyja bashkë, kanë mundësi të zhdukin programin e armëve bërthamore të Iranit. Po ashtu, jam shumë i shqetësuar për rezultatin e negociatave në Ukrainë, dhe kam frikë nga teza e J.D.Vance, zëvendës/presidentit të ri amerikan, për një armëpushimin përgjatë linjave ekzistuese të frontit.
Kremlini do ta pëlqente skenarin e krijimit të një zone të çmilitarizuar, dhe që më pas Ukraina të pranojë të mos anëtarësohet në NATO. Dhe kam frikë pasi Putini është më me përvojë, dhe mund të bindë Trumpin që të bëjë atë që ai dëshiron./Përshtati Pamfleti nga “Kathimerini”
Lini një Përgjigje