Pakicat kanë të drejtën e mbrojtjes në çdo aspekt. Por asnjë pakicë s’duhet të jetë në gjendje të sundojë mbi shumicën. Tek e fundit, nuk është një pakicë të shtypurish, ajo që ka fituar një pushtet të tillë në sistemin tonë. Përkundrazi, është pakica e atyre me pasurinë më të madhe dhe lidhjet më të forta...

Laurence Tribe, 83 vjeç, konsiderohet si një ekspertët më të mirë të Kushtetutës së SHBA-së. I lindur në Shangai nga prindër hebrenj, ai u transferua në vitin 1947 në San Francisko, ku dhe u rrit. Studioi më pas në Universitetin e Harvardit, fillimisht në matematikë përpara se kalonte tek drejtësia.
U emërua profesor në Shkollën Juridike të Harvardit në vitin 1972, ku u dha mësim juristëve të rinj, disa prej të cilëve u bënë të famshëm më vonë. Ish-presidenti amerikan Barack Obama kaloi 2 vite si asistent kërkimor i Tribe. Studentë të tij kane qenë edhe senatori i njohur republikan Ted Cruz, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland dhe drejtuesit e Gjykatës së Lartë John G.Roberts dhe Elena Kagan.
Profesor Tribe, Gjykata e Lartë e SHBA-së shpalli së fundmi një vendim që mund t’u japë presidentëve të ardhshëm të SHBA-ve kompetencat e një mbreti. A po shkon vendi drejt autokracisë?
Unë mendoj se situata është edhe më e keqe. Më kujtohet aksioni i ndërmarrë në Gjermani, në janarin e vitit 1933, për ta bërë kancelar Adolf Hitlerin. Dhe 3 muaj më vonë i dhanë atij pushtete diktatoriale...
...Përmes të ashtuquajturit Akt Mundësues ...
Po, që de facto e rrëzoi kushtetutën e Republikës së Vajmarit. Gjithsesi në rastin konkret, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk e pezullon Kushtetutën Amerikane, por i afrohet shumë. Sepse nuk e lë sistemin tonë me ndonjë mjet për të kontrolluar apo kufizuar edhe krimet më të rënda nga cilido që mban postin e presidentit.
Presidenti Joe Biden tha se në të ardhmen nuk do të ketë “realisht asnjë kufizim mbi atë që mund të bëjë presidenti”. A nuk është një deklarata e ekzagjeruar?
Jo, nuk mendoj se ishte e tepruar. Tani kufijtë e vetëm për presidentin janë karakteri dhe morali i tij.
Por ekziston ende mundësia e largimit të një presidenti nga detyra përmes shkarkimit...
Ne e kemi parë se sa larg shkojnë përpjekjet për të fajësuar dhe shkarkuar një president. Donald Trump i shkeli parimet më themelore, kur u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve që i dhanë fund presidencës së tij. Por as kjo nuk mjaftoi për ta hequr nga detyra. Procesi i fajësimit ka rezultuar jo efektiv.
Në fakt, ishte vetëm perspektiva për t’u ndjekur penalisht, ajo që i frenonte dikur presidentët amerikanë. Kur Richard Nixon dha dorëheqjen në vitin 1974, procesi i fajësimit nuk ishte bërë ende aq i paefektshëm sa është sot. Megjithatë, pasardhësi i tij Gerald Ford e fali, sepse kishte frikë se Nixon mund të ndiqej penalisht për shkak të mënyrës sesi ai abuzoi me Departamentin e Drejtësisë.
Por tani vendimi i Gjykatës së Lartë, thotë se një president gëzon një imunitet absolut, edhe nëse ai e nxit Prokurorin e Përgjithshëm të marrë masa kundër një kundërshtari politik, gjë që është një abuzim i dukshëm me pushtetin.
Kryegjykatësi John Roberts, ka qenë një student i juaji. A jeni ende në kontakt me të apo me gjyqtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë?
Nuk mund të flas në detaje mbi komunikimet e mia personale me ta. Jam në kontakt me disa prej tyre në një mënyrë që e cilësoj krejtësisht të përshtatshme. Pra nuk përpiqem të ndikoj tek puna që bëjnë.
Roberts konsiderohej si një konservator i moderuar. Jeni befasuar kur keni parë se si ka ndryshuar qëndrimi i tij vitet e fundit?
Po, jam disi i habitur. Kur ishte studenti im, ishte shumë konservator, por jo radikal. Nuk dukej si ekstremisti që është bërë sot. Mendoj se 3 gjyqtarët e emëruar nga presidenti Trump, e kanë inkurajuar në këtë sjellje.
Kolegët tuaj të Harvardit, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, autorë të librit “Si vdesin demokracitë”, hedhin dyshime mbi legjitimitetin demokratik të Gjykatës së Lartë. Ata e shohin atë si të dominuar nga Partia Republikane, e cila ka fituar votën popullore vetëm një herë në 30 vitet e fundit, megjithatë ka emëruar 6 nga 9 gjyqtarët aktualë në Gjykatën e Lartë. Levitsky dhe Ziblatt flasin madje për një “tirani të pakicës”....
Kolegët e mi kanë të drejtë. Ky është një fenomen i rrezikshëm. Pakicat kanë të drejtën e mbrojtjes në çdo aspekt. Por asnjë pakicë s’duhet të jetë në gjendje të sundojë mbi shumicën. Tek e fundit, nuk është një pakicë të shtypurish, ajo që ka fituar një pushtet të tillë në sistemin tonë. Përkundrazi, është pakica e atyre me pasurinë më të madhe dhe lidhjet më të forta. Dhe ata tani po i drejtojnë gjërat në një mënyrë shumë të rrezikshme për demokracinë tonë.
Është e zakonshme në shumë sisteme politike, që politikanët në detyrë të gëzojnë imunitet. Pse vendimi aktual i Gjykatës së Lartë të SHBA është kaq domethënës në krahasim me vendet e tjera?
Në shumicën e vendeve evropiane, të paktën deri më tani, pushteti i krerëve të qeverive është i kufizuar nga parlamentet. Ndërkohë në SHBA, pushteti i Kongresit mbi presidentin është më i kufizuar, sepse ka fusha ku presidenti ka autoritet ekskluziv, kryesisht në lidhje me mbrojtjen dhe çështjet e jashtme.
Por edhe në çështjet e brendshme, presidentit tani i lejohet të veprojë si të dojë. Madje edhe të kryejë akte kriminale pa pasur pasoja. Pra kur presidenti mund të kryejë atë që do të ishte një krim për këdo tjetër, dhe të mos japë asnjëherë llogari, atij në thelb po i jepet një pushtet që e kanë gëzuar vetëm perandorët.
Megjithatë, vendimi i Gjykatës së Lartë vlen për të gjithë presidentët, qofshin ata republikanë apo demokratë. A po kritikohet ai kaq fort, vetëm sepse ka shumë shenja se Donald Trump do të bëhet sërish president?
Personi që mund të përfitojë më shumë nga kjo sasi ekstreme pushteti është Donald Trump.
Ai e ka deklaruar publikisht synimin e tij për t’u sjellë si diktator, dhe për të pasur si objektiv parësor hakmarrjen ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Por rreziku do ekzistonte edhe president do të bëhej sërish George Washington.
Nëse një Gjykatë e Lartë në të ardhmen nuk e anulon vendimin apo ndryshon Kushtetutë, ky vendim do të vlejë për të gjithë presidentët e ardhshëm. Nipërit e mi janë nga 1 deri në 20 vjeç, dhe unë kam frikë për të ardhmen e tyre. Sepse askush nuk mund të më garantojë që Donald Trump është sociopati i fundit maniakal e narcisist që do të dojë pushtet në Amerikë.
A keni frikë se polarizimi ekstrem i shoqërisë amerikane, mund të përhapet edhe në gjyqësor dhe ta zhysë vendin në një krizë kushtetuese?
Besoj se jemi tashmë në një krizë kushtetuese, pjesërisht pikërisht për shkak të përçarjes së thellë. Njerëzit nuk i besojnë njëri-tjetrit, nuk i besojnë medias dhe as rezultateve të zgjedhjeve. Është një krizë e tmerrshme dhe ne jemi ende në mesin e saj./Përshtati Pamfleti nga “Der Spiegel”
Lini një Përgjigje