TAGS-AT E JAVËS

Forum21 Prill 2025, 09:55

Hiti i fushatës; Rama nuk e di simbolikën e bufit apo do të vlerësojë Berishën?

Shkruar nga Irena Beqiraj
Hiti i fushatës; Rama nuk e di simbolikën e bufit apo do të
Edi Rama dhe Sali Berisha

Nuk mendoj se e meriton Berisha ketë simbolikë , por me sa duket Rama pa e ditur e vlerëson shumë liderin e opozitës!

Kisha lexuar dikur në librat e vajzës një poezi për fëmijë, ku përshkruhej parajsa, nga Nikki Giovanni. Në një varg shkruhej:

"Si mund të mos ketë Parajsë,

kur hijet ftohen dhe bufat thërrasin?

Deri në momentin që "Bufi " u bë hit-i i fushatës se Partisë Socialiste nuk kisha lexuar për bufat por , vendosa të lexojë me shumë për të kuptuar se çfarë përfaqëson bufi , cila është simbolika e tij për njerëzimit ?!

Mësova se bufat e kanë magjepsur mendjen e njeriut për aq kohë sa ne kemi ndarë tokën dhe qiellin me ta. Asnjë krijesë tjetër me pendë nuk ka frymëzuar në të njëjtën masë ndjeshmërinë tonë poetike, krijimin e miteve dhe kureshtjen tonë shkencore.

Këtë magjepsje e hulumton shkencëtari dhe shkrimtari i natyrës Leigh Calvez në librin e tij "Jetët e Fshehura të Bufave: Shkenca dhe Shpirti i Zogjve më të Pakapshëm të Natyrës "

Aty, Calvez ofron " staturën"e bufave në kulturën njerëzore në një atlas global të mitologjisë . Ai shkruan :

"Lidhja e gjatë e bufit me perëndeshën greke të urtësisë, mençurisë dhe arsyes, Athena, që përfaqëson lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën perëndimore, i dha shkas emrit shkencor të bufit "Athene cunicularia" .

Po ashtu për shekuj me radhë, populli Ainu i Japonisë verilindore e ka nderuar bufin si "Perandorin e natës" ose "Perëndia që mbron vendin".

Në Kazakistan, ekziston një vargmal ku njerëzit shkojnë për t'u lidhur me shpirtin e bufit.

Populli skandinav beson se bufat sjellin fat, dhe amerikanët vendas Navajo besojnë se bufi dhe kojota mbajnë ekuilibrin e ditës dhe natës."

Shkencëtarët kanë zbuluar disa nga mrekullitë e sensoriumit jo-njerëzor duke filluar nga shikimi tetrakromatik i bletëve e deri të komunikimi në kor i zogjve shtegtarë . Por asgjë sipas shkencës nuk tejkalon aftësinë e mrekullueshme të bufave për të parë me anë te tingullit. Sistemi vizual i bufave është i mahnitshëm, njëqind herë më i ndjeshëm ndaj dritës se ai i një pëllumbi dhe i aftë për të parë dritën ultravjollcë. Sytë e tyre të mëdhenj pranojnë më shumë dritë dhe kanë më shumë qeliza për të përpunuar fotone sesa sytë e zogjve me shikimin më të mprehtë gjatë ditës.

Ndërsa Mary Oliver, një filozofe dhe poete e rrallë, me një vëmendje të kujdesshme dhe të ndjeshme ndaj botës dhe brendësisë sonë njerëzore , teksa endet në pyjet e Provincetown pranë shtëpisë së saj, reflekton mbi këto krijesa misterioze dhe mahnitëse, edhe në një nga esetë e saj ajo shkruan:

"Natën, kur bufi është jashtëzakonisht i shpejtë dhe i përsosur, ulërima e lepurit është rëngjethëse. Por klithma e bufit, e cila nuk përcjellë as dhimbje dhe as mungesë shpresë , por lavdinë e rrëmbyeshme të atij që paralajmëron fundin , është akoma më rëngjethëse"

E pra , përtej shëmtisë së shfaqjes së grave të stonuara të Ersekës që i këndonin një bufi , kjo fushatë ishte një mundësi për të mësuar shumë për këtë krijesë me sy të mëdhenj solemn , simbolika e të cilit përfaqëson mençurinë, intuitën, introspeksionin, pavarësinë edhe aftësinë për të parë përtej mashtrimit.

Nuk mendoj se e meriton Berisha ketë simbolikë , por me sa duket Rama pa e ditur e vlerëson shumë liderin e opozitës !

bufi i fushates sali berisha edi rama zgjedhjet e 11 majit

Lini një Përgjigje