
BE-ja, si shumica e demokracive komplekse, ka dështuar në planifikimin afatgjatë apo mbrojtjen strategjike dhe integrimin e Europës Juglindore.
Rreziku i thellimit të raporteve midis Serbisë dhe Rusisë në kontekstin e Europës Juglindore mund të sjellë ndeshtrasha [sfida] të përmasave të përballjes së re shqiptaro-serbe dhe përfshirjen në flakët e saj të të gjithë rajonit.
Një lagje diplomatësh dhe politikanësh perëndimor tashmë e pranojnë publikisht se ndikimi i Rusisë në disa vende të Ballkanit, para së gjithash Serbinë, është në rritje permanente. Këta kritikë shprehen se politika e Rusisë në rajon mund të ketë një ndikim destabilizues dhe se disa vende mund të ndihen të kërcënuara nga prania ruse.
Zërat kritik gjykojnë se BE-ja nuk ka bërë përpjekje serioze që të ndikojë në rajonin e Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, përmes proceseve të integrimit evropian. Për shembull, perspektiva e anëtarësimit në BE është shpallur si një synim për disa vende të Ballkanit, përfshirë edhe Serbinë, por që prej takimit historik të Selanikut [2003] kanë kaluar dy dekada dhe kjo perspektivë integruese vazhdon të mbetet tutje premtim i gjakuar.
Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Rusisë janë të kompleksuara dhe kanë dimension historik, kulturor, dhe politik. Elitat europiane mund të kenë shqetësime në lidhje me nivelin e ndikimit rusk në rajon, por një pjesë e tyre vazhdimisht janë angazhuar gjithashtu për qasje të balancuar duke mbajtur marrëdhënie të mira me Serbinë. Natyrisht kjo qasje e cilësuar si e balancuar, kishte Francën si avokatën kryesore brenda BE-së. Por kjo qasje së fundmi ishte përvetësuar edhe nga kryeministri i Shqipërisë politike!
Rreziku i thellimit të raporteve midis Serbisë dhe Rusisë në kontekstin e Europës Juglindore mund të sjellë ndeshtrasha [sfida] të përmasave të përballjes së re shqiptaro-serbe dhe përfshirjen në flakët e saj të të gjithë rajonit. Zgjedhjet e 17 dhjetorit në këtë plan mund të konsiderohen si një lloj referendumi për këtë çështje.
Fitorja bindëse e krahut prorus në Serbi, duke mbajtur në pushtet tutje presidentin aktual dhe marionetat e shërbimeve ruse që tashmë janë pjesë e koalicionit të tij zgjedhor, do t’i jap shtysë thellimit të këtyre marrëdhënieve. Thellimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Rusisë mund të çojë në tensione dhe destabilizim në gjithë Europën Juglindore. Përpjekjet për të përfshirë ish republikat jugosllave, disa sosh, në një ndarje të re gjeopolitike mund të sjellin tensione të reja dhe ndarje etnike.
Rritja e pranisë ruse në rajon dhe ndikimi i saj në vendet që pretendojnë të integrohen në Bashkimin Evropian [Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Mal të Zi] mund të sjellë pengesa për proceset e tyre integruese. BE-ja do të mund të ketë shqetësime në lidhje me vendet që kanë marrëdhënie të ngushta me një fuqi të jashtme, veçanërisht në kontekstin e konkurrencës gjeopolitike midis BE-së dhe Rusisë. Pavarësisht tolerancës së skajshme të BE-së ndaj Serbisë, Brukseli ka qëndrimin e tij të përcaktuar ndaj integritetit territorial dhe procesit të integrimit evropian për vende të rajonit, dhe tensionet apo rivalitetet gjeopolitike mund të ndikojnë në këto procese.
BE-ja, si shumica e demokracive komplekse, ka dështuar në planifikimin afatgjatë apo mbrojtjen strategjike dhe integrimin e Europës Juglindore. Ky dështim është produkt i mungesës së një agjende gjeopolitike të qartë edhe në raport me superfuqitë rajonale në ngritje. Ky fakt do të cënojë rëndë aftësitë autonome mbrojtëse evropiane në ndërtim.
Disa faktorë mund të shpjegojnë këtë qasje:
1. Fokus i Përgjithshëm: Agjenda gjeopolitike e BE-së ka përfshirë sfida të ndryshme në nivel global, duke u përqëndruar madje edhe tek zhvillimet në rajone të ndryshme të botës. Para shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, fokusi ka qenë më tepër në zhvillimet e përgjithshme globale, përfshirë edhe çështjet e brendshme të Bashkimit Evropian.
2. Ndryshimet e Papritura: Shpërthimi i konfliktit në Ukrainë çuditërisht edhe sot e kësaj dite konsiderohet se ishte një ngjarje e papritur, e cila natyrisht ndikoi pastaj në agjendën gjeopolitike të BE-së.
Ndryshimet e papritura në skenën ndërkombëtare shpesh kërkojnë një reagim të shpejtë dhe të përshtatshëm. Në një ese të tij të gjatë kancelari gjerman Olaf Scholz këtë ndryshim të shpejtë që imponoi lufta në Ukrainë e cilësoi si Zeitwende [Pikë kthese].
Para konfliktit në Ukrainë, BE kishte gjithashtu qasje të përgjithshme ndaj Europës Juglindore, por ndryshimet e papritura dhe tensionet në rajon mund të kenë detyruar BE-në të rishqyrtojë dhe rikonceptojë agjendën e saj për të adresuar zhvillimet e reja. Sidoqoftë këto ndryshime ishin tejet kozmetike, prandaj i mundësuan Rusisë që të korrë një varg suksesesh përmes aplikimit të luftës hibride. Duke promovuar Qendrën e saj të spiunazhit në Nish, duke penetruar thellë në të gjitha segmentet e shtetit serb, ajo de fakto e shndërroi Serbinë në vasale të saj. Madje ky penetrim i Rusisë në këtë pjesë të Europës Juglindore shkoi edhe më larg, edhe pas aderimit të Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi në NATO. Në të dy këto republika ish jugosllave, intelegjenca ruse ia arriti të organizonte puçe, megjithëse në të dy rastet dështuan. Në Malin e Zi, megjithatë, përmes Kishës Ortodokse Serbe, më në fund, vitin që lamë pas, Rusia ia doli që të sjell në pushtet forcat politike pro ruse e pro serbe. Aktualisht Mali i Zi mund të thuhet se është shndërruar në një Republikë Serbe të Adriatikut, krejt ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.
Për shkak të iluzioneve të një lagjeje të diplomacisë europiane, deri më 24 shtator, kur Serbia ushtroi agresion ushtarak në Banjskë [Albanik/Leposaviq] – Veriun e Kosovës, kishim mungesë të një agjende të mirëfilltë gjeopolitike të BE-së për Kosovën. Ajo, për turpin e vetë BE-së, është ndëshkuar me masa specifike për të vetmën arsye pse nuk pranoi të tërheqë Njësitë e Policisë Speciale nga veriu në emër të deeskalimit, ashtu si kamuflonte dyshja Borrell-Lajçak në përpjekje për të bërë akt të kryer aneksimin e veriut të Kosovës. Merret me mend se si do të ishte gjendja sot, po mos të ishin këto njësi në veriun e Republikës më 24 shtator!
3. Kompleksiteti i rajonit: Europa Juglindore shquhet për historinë e saj të larmishme dhe me prapavijë koloniale të theksuar, meqë ishte e ndarë për kohë të gjatë mes dy perandorive që Lufta e Parë Botërore do t’i shpjerë në histori. Procesi i krijimit të shteteve-kombe prandaj ishte tejet i vonuar dhe krijoi më shumë pasiguri dhe tensione të shumta etnike dhe politike, me theks gjatë procesit të shkërmoçjes së Jugosllavisë në dekandën e fundit të shekullit 20-të. Kompleksiteti i këtij rajoni në njërën anë dhe gjeopolitika e munguar e BE-së, mund të ketë bërë të vështirë përcaktimin e një agjende të qartë dhe të strukturuar përpara shpërthimit të konfliktit në Ukrainë./Pamfleti
Lini një Përgjigje