TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 7 Gusht 2024, 17:18

BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit, Sejko: Inflacioni pritet të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të 2025-ës

Shkruar nga Pamfleti

BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit, Sejko:

Banka e Shqipërisë ka lënë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin prej 3 për qind. Guvernatori Gent Sejko, në një deklaratë për mediat, përmendi disa nga faktorët që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.0 %, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 2.0 %, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 4.0%.”, tha Sejko.

Guvernatori tha se, sipas të dhënave të INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Ai gjithashtu shtoi inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie gjatë tremujorit të dytë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar prej 2.1%.

Sipas tij, kjo ecuri u diktua nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, dhe në veçanti të frutave e perimeve, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte përgjithësisht i qëndrueshëm.

Sipas tij,  inflacioni pritet të luhatet gjatë gjashtëmujorit të dytë dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër.

“Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i kërkesës së brendshme dhe të huaj. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Nga ana tjetër, inflacioni pritet të luhatet në kahun e poshtëm të objektivit tonë gjatë gjashtëmujorit të dytë dhe të kthehet gradualisht në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër”, tha Sejko.

Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës do të adresojnë problematikat që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme. Sejko shtoi se do merret çdo nismë e nevojshme rregullatore në lidhje me këtë çështje.

“Kredia për sektorin privat ka vijuar të ketë një ecuri pozitive në tremujorin e dytë. Ritmi i rritjes së kredisë ka ardhur në rritje, duke regjistruar nivelin 14.6% në muajin qershor. Zgjerimi i kredisë vijon të mbështetet – në masën më të madhe —nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë në lekë, në pasqyrim të nivelit të ulët të normave të interesit. Po ashtu, zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë, sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme.

Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet”, theksoi ai.

sejko

Lini një Përgjigje