Erdogan ka marrë me dinakëri pjesë të KMSH-së, e së shpejti do të krijojë strukturat për të kryer spastrimin total nga ata që i quan gulenistë...
Janë dy ngjarje që na ranë në sy pak kohë më parë, ngjarje që tregojnë se kemi të bëjmë me një lëvizje nga lart në punët e Komunitetit Musliman Shqiptar.
Në xhaminë e Dine Hoxhës, në Rrugën e Kavajës, që është një grup i rëndësishëm interesi, u sulmua gati fizikisht ish-myftiu i Tiranës Lauren Luli.
Ngjarja ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në KMSH, ku u zgjodh edhe myftiu dhe gjithë strukturat e tjera. Nga zgjedhjet del në krye të myftinisë së Tiranës Bilal Teqja. Një klerik që çuditërisht nuk u kontestua nga opozita filoerdoganiste e komunitetit musliman.
Pak ditë më pas, Kryeministri Edi Rama, interviston në podkastin e tij myftiun e ri të Tiranës. Një intervistë e dukshme si një promovim për të paraqitur imazhin e një personi të kulturuar, të ndriçuar dhe të ngritur intelektualisht.
Në këtë atmosferë kemi një rënie të zërave të fortë që sulmonin KMSH-në.
Shoqata Mexhlis, që ka edhe një media të saj mjaft të klikuar, vijon sulmin ndaj atyre që i quan ‘gulenistë’ dhe merr përsipër të bëjë vetë demonstratë në mbështetje të Palestinës. Njëjtë si qeveria turke edhe xhemati i Mexhlis nuk e ka sulmuar asnjë ditë Hamasin për masakrën e tmerrshme të 7 tetorit të shkuar.
Këto demonstrata të xhematit filoerdoganist zhvillohen disa herë në sheshet kryesore të Tiranës, ku marrin pjesë mjaft besimtarë. E kjo protestë zhvillohet pa koordinimin e KMSH-së, por duke krijuar përshtypjen se ata nuk duan.
Madje mexhlis e vërvit si propagandë herë pas here foton e kreut aktual të KMSH-së, Bujar Spahiu me ambasadoren izraelite në Tiranë. Madje në një sulm frontal e akuzonin Spahiun që sapo u zgjodh dhe Baba Mondin e bektashinjve si aleatë të Izraelit.
Kjo propagandë që është krejt e njëjtë me atë çka bën Erdogani në Turqi, ka sjellë një zhvillim të ri.
Në demostratat e mexhlisit merr pjesë dhe myftiu i ri i Tiranës.
Ndërkaq, dy ditë më parë, Justinian Topulli, që është një personazh i njohur i mexhlisit, shkruan në rrjetin social të tij: Myftinia e Tiranës 1 dhe KMSH zero.
Shkak për këtë qëndrim është deklarata e myftiut të ri kundër martesës së dy grave në bashkinë e Tiranës. Pra është krijuar një front i ri më i përqendruar në këtë situatë, ku duket qartë se erdoganistët kanë simpati për Bilal Teqen.
A është ky kompromisi që ka bërë Edi Rama me KMSH-në, duke dhënë kështu mundësinë për të inauguruar më pas xhaminë e madhe të Tiranës? Duket pikërisht se kjo është! Erdogan ka marrë me dinakëri pjesë të KMSH-së, e së shpejti do të krijojë strukturat për të kryer spastrimin total nga ata që i quan gulenistë.
Ndërkohë vijon mbështetjen për mediat dhe komentatorët që promovojnë fuqizimin e propagandës për nostalgji ndaj Perandorisë Osmane, apo edhe një neootomanizëm të reformuar.
Po a do ta lejojnë amerikanët që Erdogani të vejë dorë totalisht mbi KMSH? Duket se jo, prandaj Erdogan e strukturat e tij këtu, po mundohen të formësojnë një opinion publik tek xhemati, që të jetë anti-amerikan, e së shpejti të nisin edhe protestat politike ndaj SHBA e Perëndimit, jo vetëm ata në mbështetje të palestinezëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje