Sot, në 27 vjetorin e shembjes së Piramidave të Tmerrshme...
Në fillim të vitit 1997, shembja e skemave mashtruese financiare që shqiptarët i njohin si “piramidat”, mori me vete, drejt greminës, edhe vetë shtetin.
Një pjesë e mirë e shqiptarëve humbën kursimet e tyre, një pjesë tjetër humbën banesat apo edhe bizneset, të cilat i kishin shitur me qëllim për të përfituar nga këto skema.
Shteti reagoi të bllokonte asetet e këtyre skemave mashtruese vetëm në janar 1997, pas shpërthimit të protestave të dhunshme në të gjithë vendin.
Kreditorëve ju kthyen ca thërrmija të parave të humbura, ndërkohë që pasuritë e bllokuara të skemave piramidale u shitën për një copë bukë.
E në këtë lojë, fatkeqësinë e shqiptarëve kanë nxituar ta shfrytëzojnë edhe mashtruesit, ndonjëherë të nivelit ndërkombëtar.
Një i tillë shfaqet në Zvicër, duke marrë kontakt me ambasadorin tonë asokohe, Gazmend Turdiu.
Takimi është përshkruar në një letër të datës 1 shkurt 1997, që ambasadori ja dërgon Ministrit të Jashtëm, Tritan Shehu.
Sipas letrës, një i panjohur ishte vetëofruar duke premtuar të ndihmonte shtetin shqiptar për kthimin mbrapsht të disa dhjetëra miliona dollarëve të piamidave “Xhaferri” e “Populli”, të fshehura në një bankë të Zvicrës.
Personazhi enigmatik quhej Thomas HUMPHRY, ishte nga Afrika e Jugut, dhe pretendonte se kohët e fundit kishte depozituar, për llogari të Piramidave “Xhaferri” e “Populli”, një sasi të konsiderueshme floriri në një bankë zvicerane.
“Fillimisht thotë se ka qenë në kontakt me Xhaferrin, pastaj me Popullin. Deri tani, në favor të tyre janë dërguar rreth 600 shufra floriri me peshë 400 onz secila, me vlerë totale afërsisht 87 milionë dollarë…
Banka ku është depozituar floriri është UBS (Union Bank of Switzerland). Porosia për blerjen e floririt (UBS është e autorizuar të blejë transaksione floriri) ka ardhur nëpërmjet një banke japoneze.”
Dy javë më pas, më 18 shkurt 1997, Ambasadori Turdiu i dërgon një letër të dytë ministrit Tritan Shehu.
Ambasadori njofton ministrin e Jashtëm se ka marrë takim me jugafrikanin Thomas HUMPHRY, i cili i ka shpjeguar:
“Fondacionet Populli dhe Xhaferri kanë porositur nga Reserves Bank e Johanesburgut 600 shufra floriri me vlerë rreth 87 milionë dollarë. Deri tani janë depozituar në bankën zvicerane 26 ngarkesa ose gjithsej 520 shufra floriri me peshë 400 onz secila. Transportimi i floririt është bërë nën kujdesin e Cross Trade – pra nga ai vetë.”
Dhe në fund gracka. Afrikanojugori, sipas një skeme super të hollë, sygjeron si të vetmen mënyrë për rimarrjen e depozitave në flori të këtyre piramidave, bërjen e një porosie tjetër përmes firmës së tij, me qëllim që më pas të ndiqej ngarkesa.
Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të gjendeshin llogaritë e “Xhaferri” dhe “Populli” në Bankën UBS të Zvicrës dhe floriri të bllokohej e transferohej në Shqipëri.
Sipas afikanojugorit, fitimi i tij, pas këtyre manovrave, duhet të ishte 1 e 5/8 e sasisë së floririt që do të rikuperohej.
Në shënimin e vet, ambasadori Turdiu edhe pse e konsideronte ofertën, parashikonte edhe mundësinë e humbjes së parave që duheshin për të vënë në jetë këtë skemë.
“Për të vënë në lëvizje skemën që propozohet ne duhet të paguajmë për një sasi floriri prej afërsisht 2.7 milion dollarësh, gjë që jo vetëm është e rëndë për financat tona, por duke pasur të bëjmë me ekspertë, përballohemi me rrezikun e humbjes së tyre.”
Në këtë pikë, skema e mashtrimit ishte më e qartë. Afrikanojugori pretendonte të vinte në punë planin e tij duke kaluar në llogarinë e vet 2.7 milionë dollarë të ofruara nga shteti shqiptar.
Sipas planit të tij, me këtë shumë ai do të blinte sërish një sasi floriri në Afrikën e Jugut dhe do ta depozitonte në bankën e Zvicrës.
Sigursisht që “goli” ndaj shtetit shqiptar do të bëhej në momentin kur në llogarinë e afrikanojugorit të panjohur do të kalonin 2.7 milion dollarët.
Më 1 prill 1997 Ambasadori Turdiu njeh me kërkesën e afrikanojugorit edhe ministrin e Jashtëm të radhës, Arjan Starova.
Më 21 korrik 1997, me të njëjtën ofertë këmbëngulëse është njohur është misnitri i Jashtëm, Paskal Milo, i cili ua ka përcjellë infomacionin Ministrisë së Financave dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Fatmirësisht, shteti shqiptar nuk e ka ndjekur nga pas këtë aventurë./Pamfleti








Lini një Përgjigje