Spanja sapo ka festuar triumfin në Kupën e Botës, pasi mposhti Argjentinën 1-0 në finale falë golit të Ferran Torres në kohën shtesë. Megjithatë, vëmendja është zhvendosur menjëherë te edicioni i vitit 2030, ku po zhvillohet një tjetër garë e fortë – ajo për organizimin e finales së turneut.
Botërori i vitit 2030 do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa tre ndeshjet e para do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai për të shënuar 100-vjetorin e Kupës së parë të Botës.
Një nga çështjet më të rëndësishme që ende nuk ka marrë përgjigje është stadiumi që do të presë finalen. Deri tani, favorit është konsideruar "Santiago Bernabeu", por Maroku po shtyn fuqishëm kandidaturën e stadiumit të ri "Hassan II" pranë Kazablankës.
Bernabeu, zgjedhja tradicionale e Spanjës
Federata Spanjolle e Futbollit e sheh "Santiago Bernabeun" si kandidatin ideal. Stadiumi i Real Madridit është një nga arenat më ikonike në botë dhe pas investimit prej 1.5 miliardë eurosh ofron të gjitha kushtet që kërkon FIFA.
Burime pranë federatës spanjolle kanë theksuar se Spanja do të organizojë numrin më të madh të ndeshjeve gjatë turneut, ka eksperiencë të madhe në evente ndërkombëtare dhe mbetet një nga fuqitë kryesore të futbollit botëror.
Megjithatë, të njëjtat burime pranojnë se situata nuk është më aq e qartë sa ishte pak muaj më parë.
"Tetëmbëdhjetë muaj më parë ishte e pamundur që Bernabeu ta humbiste finalen e vitit 2030, por sot nuk do të habitesha. Pozicioni i Federatës Spanjolle është shumë më i dobët krahasuar me gjithçka që ka bërë Maroku."
Maroku investon miliarda për finalen
Maroku po ndërton stadiumin gjigant "Hassan II", me kapacitet 115 mijë spektatorësh, ndërsa qeveria ka garantuar rreth 1 miliard euro financim vetëm për ndërtimin e tij, pa llogaritur investimet në infrastrukturë.
Drejtori i përgjithshëm i ANEP, Susi Jasir, nuk e fshehu objektivin.
"Ne e duam finalen. E dimë që për shumë njerëz Bernabeu është katedralja e futbollit, por është një stadium ekzistues në mes të qytetit. Hassan II është krejtësisht i ri dhe mund të përshtatet me çdo kërkesë të FIFA-s. Çdo gjë që ata kërkojnë, ne mund ta ofrojmë."
Pas projektit qëndron edhe presidenti i Federatës Marokene, Fuzi Lekja, një nga figurat më me ndikim në futbollin afrikan dhe ndërkombëtar, i cili gëzon marrëdhënie shumë të mira me presidentin e FIFA-s, Xhani Infantino.
Burime pranë organizatorëve marokenë besojnë se do të ishte "më e drejtë" që finalja të zhvillohej në Afrikë.
"Do të ishte më e drejtë që Casablanca të organizonte finalen, duke pasur parasysh se kontinenti afrikan ka pritur vetëm një finale të Kupës së Botës."
Shqetësim në Spanjë
Në Spanjë ekziston frika se vendi mund ta humbasë organizimin e finales, sidomos pas ndryshimeve të shumta institucionale në Federatën Spanjolle.
Megjithatë, ministrja e Sportit, Milagros Tolon, u përpoq të qetësonte situatën.
"Nuk ka asgjë zyrtare. Këto janë vetëm spekulime dhe ju siguroj se qeveria spanjolle do të punojë që finalja të luhet në Spanjë."
Edhe presidenti i Federatës Spanjolle, Rafael Luzan, shprehu besimin se vendi i tij mbetet favorit.
"Spanja ka peshën më të madhe në këtë Kupë Bote. Jemi gati dhe mund të organizojmë ngjarje madhështore."
Vendimin do ta marrë FIFA
Ashtu si në Botërorin 2026, edhe për vitin 2030 vendimi për stadiumin e finales do të merret nga FIFA dhe presidenti Gianni Infantino, së bashku me drejtuesit më të lartë të organizatës.
Sipas burimeve të ndryshme, Maroku gëzon avantazhin e mbështetjes së fortë shtetërore dhe marrëdhënieve të shkëlqyera me FIFA-n, ndërsa Spanja mbështetet te tradita, infrastruktura dhe prestigji i "Santiago Bernabeut".
Një burim nga Federata Spanjolle mbetet optimist:
"E dimë që Xhani Infantino pëlqen të bindet me projekte ambicioze dhe Maroku po bën gjithçka për ta fituar këtë garë. Megjithatë, ne ende nuk shohim një skenar ku finalja e Kupës së Botës 2030 të mos luhet në Spanjë."
Lini një Përgjigje