Reshje shiu dhe erëra të forta, Vlora përfshihet nga stuhia Një stuhi e fortë ka përfshirë mbrëmjen marte qytetin e Vlorës, duke sjellë reshje intensive shiu, erëra të forta dhe shkarkesa elektrike, pas disa ditësh të karakterizuara nga temperatura të larta.
Qyteti është përfshirë nga një erë e fortë dhe shkarkesa elektrike ndërsa pushuesit janë larguar nga plazhet.
Reshjet kanë nisur me intensitet në qytet dhe në zonat përreth, ndërsa era e fortë ka shoqëruar motin e paqëndrueshëm. Deri më tani nuk raportohen dëme të konsiderueshme apo persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën.
Ndërkohë moti i keq, erërat e forta dhe reshjet e shiut, ka përfshirë edhe veriune vendit.
Në qarkun e Kukësit, erërat e forta shkaktuan probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, kryesisht në Bashkinë Has. Sipas OSHEE Kukës, fshati Nikoliq dhe Njësia Administrative Fajzë mbetën pa energji elektrike, pasi një lis u rrëzua mbi linjën e tensionit të mesëm, ndërsa në disa zona u dëmtuan edhe shtylla të transmetimit.
Meteorologët kishin paralajmëruar më herët se një sistem i fuqishëm stuhish do të përfshinte Ballkanin Perëndimor. Sipas parashikimeve, zonat më të rrezikuara ishin jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova, ndërsa Shqipëria ishte përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, ku priteshin reshje të dendura, erëra të forta, shkarkesa elektrike dhe, në zona të veçanta, edhe breshër.
Lini një Përgjigje