TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Nëntor 2023, 23:09

Zelensky jep alarmin, paralajmëron luftë në Ballkan; valë reagimesh në Britani, Francë dhe Kroaci

Shkruar nga Pamfleti
Zelensky jep alarmin, paralajmëron luftë në Ballkan; valë
Volodymyr Zelensky

Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë...

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje që t’i kushtohet vëmendje më e madhe rajonit të Ballkanit, pasi sipas tij, ka informacione se Rusia po planifikon të nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Sipas tij, konflikti në Lindjen e Mesme është e gjitha skenar dhe pas këtij fronti të ri, duket se do të tentohet destabilizoi në Ballkan.

Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë", ka thënë presidenti ukrainas të enjten gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga Afrika, shkruan “Novinite”.

Kini kujdes Ballkanin. Më besoni, po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme, pastaj të paktën do të jetë Ballkani, nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani. Do të ketë një tjetër shpërthim të tillë”, ka thënë Zelensky.

Sipas tij, Rusia është e interesuar që ndihma e vendeve perëndimore të shkojë në shumë drejtime.

Kur doni të ndihmoni një vend ose filloni ta ndani atë ndihmë dhe vëmendje për shumë vende, pastaj ka shumë sfida, shumë sfida humanitare. Tani ata kanë filluar të minojnë situatën në Moldavi për të treguar se ka diçka që nuk shkon atje gjatë zgjedhjeve. Të shpallen zgjedhjet jokushtetuese. Të rrëzohet sërish qeveria aktuale. Të rrëzohet qeveria pro-evropiane", ka thënë Zelensky.

I njëjti alarm u dha dhe nga kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç. Ai deklaroi se “mesazhi i presidentit Zelensky është shumë i qartë për sa i përket një kërcënimi më të gjerë. Agresioni rus kundër Ukrainës ka funksionin e destabilizimit të vendeve në kufi me Bashkimin Evropian”.

Ne kemi disa vatra potenciale të destabilitetit. Politika e Kroacisë është të bëjë përpjekje maksimale që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet fuqishëm në zonën e Evropës Juglindore dhe ne jemi përkrahës të zgjerimit me fqinjët tanë. Kjo garanton paqe, siguri, stabilitet dhe marrëdhënie më të mira të ndërsjella”, tha kreu i qeverisë së Kroacisë.

Kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime të shumta edhe në platformën “X”, nga aktorë ndërkombëtarë, të cilët kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar. Deputetja britanike, Alicia Kearns, përmes një postimi në platformën “X”, ka përsëritur paralajmërimet e saj të mëparshme për nevojën e një strategjie të qartë dhe të përbashkët në Ballkan. “Kam paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se duhet të gjejmë ‘shtyllën kurrizore’ në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është oborri ynë dhe ne kemi përgjegjësi historike. Paralajmërova në muajin qershor për atë që mund të shohim në Kosovë, por u hedh poshtë. Me keqardhje, shqetësimet e mia u realizuan”, ka shkruar ajo.

Shqetësim për deklaratën e presidentit ukrainas ka shprehur edhe kryetari i Nismës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus.

Knaus në platformën “X” ka shkruar se “është e qartë, por BE-ja, Gjermania dhe të tjerët po qëndrojnë në gjumë. Po afrohet një dështim tragjik”.

Edhe analistja amerikane Ivana Stradner ka shkruar se fatkeqësisht presidenti Zelensky ka të drejtë.

Në fund reagoi Presidenti Emmanuel Macron. Gjatë një eventi u pyet për situatën aktuale në rajonin tonë, konkretisht zhvillimeve të fundit shqetësuese në Kosovë, duke dhënë këtë përgjigje: “Tensionet janë qetësuar paksa tani.”

Presidenti francez shpreson se drejtuesit e dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ta pranojnë planin e hartuar që ndihmon në zbutjen e plotë të situatës dhe arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve.

Megjithatë Macron tha se ka frikë nga konfliktet me sfond etnik dhe fetar që po zhvillohen në rajone të ndryshme të botës.

Jam i shqetësuar, por nuk kam frikë nga rifillimi i konfliktit në Kosovë”, përfundoi ai.

Lini një Përgjigje