TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shtator 2024, 14:22

Vuçiç nuk ndal provokimet, nënshkruan rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi

Shkruar nga Pamfleti
Vuçiç nuk ndal provokimet, nënshkruan rikthimin e
Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë sot se si komandant suprem dhe president i Republikës ka nënshkruar ligjin për kryerjen e shërbimit të rregullt ushtarak për 75 ditë.

“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiç më 14 shtator gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.

“Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë. Por, dëshira jonë është të pengojmë këdo në na kërcënon çdo ditë pa pasur frikë”, shtoi ai, duke mos specifikuar se kush po e kërcënon Serbinë.

Një ditë më parë kryeministri serb, Millosh Vuçeviç, tha se Qeveria serbe është e gati, nëse arrihet një marrëveshje politike dhe shoqërore, për të dërguar shpejt në Kuvendin serb projektligjin për kthimin e shërbimit ushtarak.

“Më 2025, kur të arrihet kushtet administrative dhe logjistike, ne do të nisim [me shërbimin ushtarak]”, tha Vuçeviç.

Vuçiç tha se qeveria e tij mendon për një reformim të thellë të ushtrisë dhe se shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për burrat dhe vullnetar për gratë.

Sipas Vuçiçit ky ligj do të rriste numrin e rekrutëve të cilët do të ishin të gatshëm për të shërbyer në ushtri në çdo rast të mundshëm.

Vuçiç shtoi se koha e ushtrisë me detyrim do të ishte për një afat prej 75 ditësh. Ai theksoi se kjo nismë do të marrë jetë brenda një viti dhe premtoi se gjatë kohës që të rinjtë do të kryejnë shërbimin e detyrueshëm do të paguhen.

“75 ditë është minimale. Pesë herë më pak se sa shërbeva unë. Do të jepnim kompensim monetar për kohën e kaluar në kazermë. Ne duhet ta marrim atë vendim shpejt”,  u shpreh presidenti serb duke shtuar se është rënë dakord që kazermat të rindërtohen në pjesë të ndryshme të Serbisë.

Kroacia fqinje po ashtu ka njoftuar se duke nisur nga 1 janari i vitit 2025 do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.

Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro./REL

vuçiç

Lini një Përgjigje