TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Mars 2025, 19:50

Vijojnë protestat masive kundër arrestimit të Imamoglut, kërcënon Erdogan: Do të ndërhyjë policia!

Shkruar nga Pamfleti

Vijojnë protestat masive kundër arrestimit të Imamoglut,

Mijëra njerëz morën pjesë në një tubim në Stamboll të organizuar nga Partia Popullore Republikane kundër arrestimit të kryebashkiakut të qytetit Ekrem Imamoglu. Politikani është rivali kryesor politik i Presidentit, Recep Tajip Erdogan.

Imamoglu, i cili kryeson ndaj Erdogan në disa sondazhe, u burgos në pritje të gjyqit mbi akuzat për korrupsion të dielën që shkoi, duke nxitur protestat më të mëdha antiqeveritare në më shumë se një dekadë, të cilat kanë çuar në arrestime masive në mbarë vendin.

Në protestë u lexua një letër nga Imamoglu, e shoqëruar nga brohoritjet e mëdha të turmës.

“Nuk kam frikë, ju më qëndroni pas dhe përkrah. Nuk kam frikë sepse kombi është i bashkuar. Kombi është i bashkuar kundër shtypësit. Ata mund të më fusin në burg dhe të më gjykojnë sa të duan, kombi ka dëshmuar se do t’i thyejë të gjitha kurthet dhe komplotet”, thuhet në letrën e Imamoglut.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por gati 2.000 njerëz janë arrestuar. Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), partitë e tjera opozitare, grupet e të drejtave të njeriut dhe disa vende perëndimore kanë deklaruar se çështja kundër Imamoglu është përpjekje e politizuar për ta eliminuar një kërcënim të mundshëm elektoral ndaj Erdoganit.

Qeveria mohon çdo ndikim mbi gjyqësorin dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

Të shtunën, qindra mijëra protestues me flamuj turq dhe pankarta u mblodhën në një tubim në Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, për protestën “Liri për Imamoglu”, të organizuar nga CHP-ja. Policia vendosi masa të rrepta sigurie rreth vendit ku po grumbulloheshin mbështetësit e opozitës.

“Nëse drejtësia hesht, populli do të flasë”, shkruhej në një pankartë të mbajtur nga turma.

Kreu i CHP-së, Ozgur Ozel, duke folur në protestë, tha se miliona turq kërkojnë lirimin e Imamoglut dhe mbajtjen e zgjedhjeve. Ai theksoi se akuzat kundër kryebashkiakut janë të pabaza dhe të motivuara politikisht, ndërsa CHP-ja bëri thirrje për bojkot të mediave, markave dhe dyqaneve që mbështesin Erdoganin.

Javën e kaluar, CHP-ja mbajti zgjedhje të brendshme për ta konfirmuar Imamoglun si kandidat për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë planifikuar për vitin 2028.

Megjithatë, CHP-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se Qeveria ka humbur legjitimitetin.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, tha këtë javë se pothuajse 1.900 njerëz janë ndaluar që nga fillimi i protestave, ndërsa gjykatat kanë urdhëruar burgosjen e 260 prej tyre në pritje të gjyqit.

Erdogan, i cili ka dominuar politikën turke për më shumë se dy dekada, i ka quajtur protestat “shfaqje”, ka paralajmëruar pasoja ligjore dhe ka bërë thirrje që CHP-ja të ndalet “së provokuari” qytetarët.

Që nga arrestimi i Imamoglut, tregjet financiare turke kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke detyruar Bankën Qendrore të përdorë rezervat për të mbështetur lirën. Kjo krizë ka shkaktuar shqetësime edhe në sektorin privat.

Qeveria ka deklaruar se ndikimi do të jetë i kufizuar dhe i përkohshëm. Banka Qendrore tha se dinamika kryesore e ekonomisë mbetet e paprekur, por është e gatshme të marrë masa shtesë nëse është e nevojshme.

Lini një Përgjigje