TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Maj 2025, 18:10

Tym i bardhë në Vatikan, zgjidhet Papa i ri!

Shkruar nga Pamfleti

Tym i bardhë në Vatikan, zgjidhet Papa i ri!

Njoftimi i shumëpritur erdhi pas disa raundesh votimi të pasuksesshme.

Tym i bardhë ka dalë nga oxhaku i Kapelës Sistine, duke sinjalizuar zgjedhjen e Papës së ri, pasardhësit të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare. Njoftimi i shumëpritur erdhi pas disa raundeve të votimeve të pasuksesshme, të cilat u shënjuan me tym të zi, duke treguar mungesën e konsensusit mes 133 kardinalëve zgjedhës.

Më në fund, pas disa ditësh diskutimesh intensive dhe votimesh, kardinalët arritën shumicën e nevojshme prej dy të tretash (të paktën 89 vota) për të zgjedhur Papën e 267-të të Kishës Katolike. Turma në sheshin kryesor të Vatikanit shpërtheu në duartrokitje kur tymi i bardhë filloi të dilte nga oxhaku i Kapelës Sistine.

Kardinali protodiakon pritet të shfaqet në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit për të shpallur frazën tradicionale “Habemus Papam”, duke prezantuar emrin dhe identitetin e Papës së ri para besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Papa i ri do të japë më pas bekimin e tij të parë apostolik “Urbi et Orbi”.

Por ka ende disa pengesa logjistike për t'u kapërcyer përpara se Papa i ardhshëm t'i zbulohet botës.

Së pari, kardinali i zgjedhur papë duhet ta pranojë rolin. Më pas, papës së ri i kërkohet të zgjedhë një emër. Një dokument hartohet për të shënuar pranimin e rolit të tij të ri nga kardinali dhe për të regjistruar emrin e tij të zgjedhur. Konklavi zyrtarisht përfundon në këtë pikë, megjithëse kanë mbetur edhe disa hapa përpara se papa t'i prezantohet botës.

Papa më pas hyn në Dhomën e Lotëve — e emëruar me të drejtë për emocionet që shumë papë të sapozgjedhur ndiejnë kur ndërrojnë rrobat e tyre papnore. Dhoma në vetvete është mjaft modeste, me një tavan të ulët e të harkuar, një dritare dhe një shkallë. Vetëm pasi ndërrohet këtu, Papa del në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit dhe i shfaqet botës.

Ky moment shënon një kapitull të ri për Kishën Katolike, e cila përballet me sfida të mëdha, përfshirë ndarjet mes reformistëve dhe konservatorëve. Ekspertët e Vatikanit kanë theksuar se Papa i ri do të ketë për detyrë të unifikojë një kishë të ndarë thellësisht dhe të çojë përpara trashëgiminë e Papa Françeskut.

Për arsye të ruajtjes së sekretit, detaje të mëtejshme rreth identitetit të Papës së ri dhe procesit të votimit do të bëhen të ditura vetëm pas njoftimit zyrtar. Besimtarët dhe bota presin me padurim fjalët e para të udhëheqësit të ri shpirtëror të 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën.

Kujtojmë se procesi i konklavës, i cili filloi më 7 maj, u zhvillua në kushte të rrepta izolimi në Kapelën Sistine. Raundi i parë i votimit përfundoi pa rezultat, siç u tregua nga tymi i zi i dalë mbrëmjen e 7 majit rreth orës 21:00. Po ashtu, të paktën dy raunde të tjera votimesh të zhvilluara paraditen e 8 majit rezultuan të pasuksesshme, me tym të zi që u ngrit nga oxhaku, duke mbajtur besimtarët dhe botën në pritje./Pamfleti

Lini një Përgjigje