TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Gusht 2023, 20:07

Trump në fije të perit, pse akuza e katërt mund të sjellë gjunjëzimin e ish-presidentit?!

Shkruar nga Pamfleti
Trump në fije të perit, pse akuza e katërt mund të
Donald Trump

Gjyqi duhet të shfaqet në TV, ndryshe nga të tjerët. Teksa ligjet federale dhe ligjet e tjera shtetërore e ndalojnë diçka të tillë, Georgia ka lejuar aksesin e mediave në sallat e gjyqit që nga vitet 1980.

Aktakuza e katërt ndaj Donald Trump është ‘qershia mbi tortë’ në valën e akuzave ndaj tij.

Ligji i njohur si RICO-  Akti i Organizatave të Influencuara dhe të Korruptuara nga Raketeri-lejon prokurorin e kontesë së Georgias, Fulton Fani Willis të ngrejë padi ndaj Trump për një plan të organizuar për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, jo vetëm në shtetin e tij, por edhe në 5 vende të tjera. Janë 98 faqe që tregojnë 161 veprime të kryera nga ai dhe 18 bashkëpunëtorë të të ish-presidentit.

Zbatimi i këtij ligji, i konceptuar për organizata kriminale të llojit mafioz dhe i përdorur ndër vite edhe për krime financiare, ka shkaktuar mjaft habi. Por në fakt ky ligj duket se sjell shumë telashe për ish-presidentin dhe ka disa arsye.

1. Bashkëpunëtorët

Teksa aktakuza federale e prokurorit të posaçëm Jack Smith në Uashington liston gjashtë bashkëpunëtorë (të paidentifikuar), aktakuza e Floridës përfshin dy punonjës pak të njohur që ndihmuan Trump të fshehë dokumentet top-sekret.

Por rasti i Georgias është i pari që përfshin drejtpërdrejt deri në 18 bashkëpunëtorë, duke përfshirë zyrtarë të zgjedhur, shefin e shtabit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows (ai mund të jetë shefi i parë i shtabit që burgoset që nga Watergate) dhe shumë avokatë (Rudy Giuliani, Kenneth Chesebro, Jeffrey Clark, John Eastman, Jenna Ellis dhe Sidney Powell). Përveç këtyre tetëmbëdhjetëve, ka edhe tridhjetë bashkëpunëtorë të tjerë pa emër.

Sipas prokurorit të Qarkut Fulton, Fani Willis, ata duhet të gjykohen së bashku me Trump; do të ishte një cirk, me praninë e avokatëve të panumërt dhe strategji të ndryshme mbrojtëse, por shumë besojnë se kjo është pikërisht pjesë e strategjisë së Willis. Me pak fjalë, prokurori do të synonte të shtynte bashkëpunëtorët të bashkëpunonin me drejtësinë dhe të dëshmonin kundër ish-presidentit.

2. Trump, burg dhe falje

Ekziston për herë të parë një dënim i detyrueshëm prej të paktën pesë vjetësh nëse Trump dhe bashkëpunëtorët e tij dënohen sipas ligjit kundër reketimit. Në gjyqin në Manhatan për falsifikimin e dokumenteve që lidhen me pagesat ndaj yllit pornografik Stormy Daniels, nuk ka gjasa të dënohet me burg. Në dy gjyqet federale është parashikuar burgu, por gjyqtarët kanë diskrecion. Kjo gjithashtu mund të motivojë bashkëpunëtorët për të bashkëpunuar.

Megjithatë, nëse Trump ose një tjetër republikan fiton zgjedhjet presidenciale të 2024-ës, ai nuk do të jetë në gjendje të falë menjëherë Trumpin (as ndonjë të dënuar tjetër). Duhet të kalojnë të paktën pesë vjet.

3. Televizioni

Gjyqi duhet të shfaqet në TV, ndryshe nga të tjerët. Teksa ligjet federale dhe ligjet e tjera shtetërore e ndalojnë diçka të tillë, Georgia ka lejuar aksesin e mediave në sallat e gjyqit që nga vitet 1980.

Kur hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve të dominuar nga Demokratët për marrjen e Kongresit u transmetua në televizion, ai ndikoi në opinionin publik.

4. Kohët e gjykimit

Georgia ka ligje që kërkojnë gjykime të përshpejtuara. Prokurori synon të nisë procesin brenda gjashtë muajve, ndërsa strategjia e Trump ka qenë të ngadalësojë procedurat, me shpresën për të fituar nominimin republikan në fillim dhe ndoshta edhe zgjedhjet presidenciale. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”

donald trump akuza

Lini një Përgjigje