Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot se presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, “do të paguajë një çmim më të lartë se Nicolás Maduro, nëse nuk bën atë që është e drejtë".
Në një intervistë për revistën “The Atlantic”, gjatë një bisede telefonike, pas kërcënimit të presidentes së përkohshme, Trump u shpreh se rindërtimi i Venezuelës “nuk është diçka e keqe”.
“Venezuela është e falimentuar. Ky vend është një katastrofë nga çdo këndvështrim”, tha presidenti amerikan.
Komentet e Trump vijnë në një moment tensioni të lartë politik dhe diplomatik lidhur me zhvillimet e fundit në Venezuelë dhe rolin e udhëheqjes së përkohshme të vendit.
Toni i ashpër që ai mbajti me Rodríguez ishte në kontrast me lëvdatat që i thuri dje, disa orë pasi forcat ushtarake amerikane sulmuan Karakasin dhe kapën Maduron dhe gruan e tij, Cilia Flores, për ndjekje penale.
Në një konferencë shtypi pas sulmit, Trump tha se Rodríguez kishte treguar privatisht një gatishmëri për të punuar me Shtetet e Bashkuara, të cilat Trump deklaroi se do të "drejtonin" përkohësisht vendin e saj.
“Ajo është në thelb e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën përsëri të madhe”, deklaroi ai dje.
Lini një Përgjigje