Qeveritë e huaja, bizneset dhe grupet e shoqërisë civile, mund të ndërmarrin 5 hapa për të kufizuar axhendën radikale të administratës aktuale në SHBA.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar një shpërfillje të madhe për mekanizmat e kontrolleve dhe ekuilibrave, që e kanë mbrojtur prej kohësh demokracinë amerikane.
Teksa që po kryen një uzurpim të madh pushteti, pjesa më e madhe e botës po e ndjek me ankth, e vetëdijshme se paligjshmëria dhe korrupsioni në rritje i administratës së tij, po e dëmton jo vetëm Kushtetutën e SHBA-së, por edhe atë që ka mbetur nga rendi ndërkombëtar i pas vitit 1945.
Duket gjithnjë e më i mundshëm rikthimi tek sferat e interesit të fuqive të mëdha. Por përballë një SHBA-je revizioniste, qeveritë e huaja, bizneset dhe grupet e shoqërisë civile, kanë më shumë fuqi sesa mendojnë.
Ato mund të ndërmarrin 5 hapa, për të krijuar kontrolle dhe ekuilibra të jashtëm mbi administratën Trump dhe mbi forcat antidemokratike. Forcat antidemokratike në mbarë botën, po e zgjerojnë gjithnjë e më shumë ndikimin e tyre.
Por me një forcë guximi dhe solidariteti, koalicionet pro-demokratike mund të bëhen bashkë për të mbrojtur rendin ndërkombëtar aktual. Hapi i parë është të bashkohemi, dhe të bëjmë sa më shumë zhurmë. Autokratët varen nga taktikat e njohura ”përça dhe sundo”, duke e maksimizuar frikën, dhe bindur individët e qeveritë se vetëm ata janë për t’u marrë në konsideratë.
Imagjinoni sikur të gjitha qeveritë në kontinentin amerikan (me disa përjashtime, si Argjentina), të denonconin me zë të lartë dhe në mënyrë të përsëritur planet e Trumpit për Kanalin e Panamasë dhe Kanadanë, dhe të refuzojnë të pranojnë ndryshimin e emrit Gjiri i Meksikës në Gjiri i Amerikës.
Në fakt, ata mund ta riemërtonin kështu kolektivisht. Një mundësi tjetër, është që Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore dhe qeveritë e Bashkimit Evropian të lëshojnë një deklaratë të përbashkët, duke hedhur poshtë pretendimin e Trump se Ukraina e nisi luftën me Rusinë, dhe të këmbëngulin për të vërtetën: ishte Rusia, ajo që e shkeli sovranitetin territorial të Ukrainës.
57 anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, mund të prezantojnë kolektivisht një rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që dënon çdo sugjerim për dëbimin e të gjithë palestinezëve nga Gaza, siç sugjeroi muajin e kaluar Trump, duke rikonfirmuar angazhimin kolektiv për krijimin në të ardhmen të një shteti palestinez.
Mund të rezultojë të jetë edhe më e rëndësishme nëse vendet evropiane (anëtare të BE-së plus Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Norvegjia), do t’u bashkohen partnerëve strategjikë si Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia, për të ndalur kaosin global që do të nxiste Trump nëse do të përpiqet të marrë me forcë Grenlandën, duke e legjitimuar kështu luftën si një mjet të politikës së jashtme.
Këto denoncime, duhet të bëhen në mënyrë të përsëritur në të gjitha forumet përkatëse ndërkombëtare. Hapi i dytë, është reagimi e ashpër ndaj provokimeve të Trump. Nëse SHBA-ja i rrit tarifat nga 100 në 200 për qind, qeveritë e tjera duhet të njoftojnë se do i rrisin ato ndaj produkteve amerikane në nivelin 400 për qind.
SHBA-ja mund të jetë ekonomia më e madhe në botë, me një PBB prej afro 28 trilion dollarë, por ekonomitë e marra së bashku të shteteve anëtare të BE-së, Britanisë së Madhe, Norvegjisë, Zvicrës, Kanadasë, Meksikës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Australisë janë 25 për qind më të mëdha, duke arritur në rreth 35 trilion dollarë.
Në vend se të vijnë në Shtëpinë e Bardhë me kapele në duar dhe me lajkat gati, me shpresën se mos përjashtohen nga luftërat e ardhshme tregtare, do të ishte më mirë që liderët botërorë të krijojnë një front të bashkuar.
Së treti, duhet të përdoret ligji për të kundërshtuar paligjshmërinë e administratës së dytë të Trump. Sundimi i ligjit, nuk është thjesht një kod sjellje i miratuar nga autoritetet. Ai është një sistem i tërë, i krijuar për të kanalizuar mosmarrëveshjet larg fushës së betejës dhe në gjykata, për të zëvendësuar luftën e armatosur me paditë ligjore përpara një arbitri të paanshëm.
Në varësi të masës që administrata Trump injoron ose refuzon ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar, qeveritë e huaja, bizneset dhe grupet e shoqërisë civile duhet të përdorin gjykatat e tyre për të mbrojtur kauzën e tyre dhe për të garantuar zbatimin e të drejtave të tyre.
Sundimi i ligjit, mund të jetë veçanërisht i dobishëm për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet ekonomike. Kur veprimet e zyrtarëve amerikanë shkelin kontratat ndërkufitare, ose u japin një përparësi të paligjshme në marrëveshjet e biznesit ndërkombëtar, prokurorët vendas duhet të zbatojnë ligjin e tyre kombëtar.
Kjo mund të ndihmojë në krijimin e një “zone të ligjit” për tregtinë globale. Por ata nuk duhet të përfshihen në asnjë rrethanë në hakmarrje apo ndjekje penale të motivuara politikisht.
Hapi i katërt që duhet të ndërmarrin vendet e tjera, është krijimi i një sektori të teknologjisë vendase të lulëzuar. Kjo kërkon kohë, por pak gjëra janë më të rëndësishme në planin afatgjatë. Qeveritë dhe qytetarët duhet të kenë opsione të tjera përveç teknologjisë amerikane ose kineze, veçanërisht në fazën e revolucionit dixhital të Inteligjencës Artificiale.
Për më tepër, siç e di mirë edhe BE-ja, konkurrimi me gjigantët ekzistues të teknologjisë, kërkon heqjen e barrierave tregtare dhe integrimin e tregjeve të kapitalit, që të dy hapa të rëndësishëm drejt rritjes së fuqisë rajonale në skenën globale.
Së fundmi, administrata Trump e ka bërë të qartë përbuzjen e saj për institucionet shumëpalëshe, duke hedhur poshtë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, dhe ka vënë në pikëpyetje nëse projektet e agjencive të OKB-së e “përforcojnë sovranitetin e SHBA-së, duke kufizuar mbështetjen e organizatave ndërkombëtare apo strukturave të qeverisjes globale”.
Vendet e tjera - sidomos fuqitë e mesme në rritje - duhet ta shfrytëzojnë këtë moment për të marrë në dorë këto institucione, dhe për t’i bërë ato të tyret. Për shembull, është koha të heqim dorë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Anëtarët tij të përhershëm, nuk do të bien asnjëherë dakord për ta reformuar atë, dhe do të vazhdojnë të vendosin veton kundër rezolutave që prekin interesat e tyre, siç e kishin parashikuar edhe themeluesit e OKB-së. Vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, e ka kthyer Asamblenë e Përgjithshme në forumin kryesor për trajtimin e çështjeve që kanë lidhje me pushtimin rus të Ukrainës.
Fuqitë e mesme në rritje si India, Brazili, Meksika, Afrika e Jugut, Nigeria, Egjipti, Indonezia dhe Arabia Saudite, duhet të shfrytëzojnë mundësinë e bllokimit të fuqive të mëdha apo të marrëveshjeve të fshehta, për t’i lidhur institucionet globale me konfigurimin aktual të pushtetit në botë.
Po ashtu, duhet të këmbëngulin për një përfaqësim të barabartë, dhe të promovojnë vendimmarrjen e bazuar në rregullin e shumicës së ponderuar, e cila do t’i jepte një zë të vërtetë çdo vendi. BE do të fitonte shumë duke mbështetur reforma të tilla.
Por edhe nëse nuk e bën këtë, një sistem ndërkombëtar i projektuar nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore ose duhet të ndryshojë ose do të bëhet i parëndësishëm. Këto janë lëvizje radikale. Por lideri i vendit më të fuqishëm në botë, po zbaton një axhendë radikale. Sistemi amerikan i kontrolleve dhe balancave, është mjeti kryesor për mbrojtjen e demokracisë. Bota mund të ndihmojë në ruajtjen e tij./Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”
Shënim: Anne-Marie Slaughter, ish-drejtoreshë e planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, është drejtues e institutit “New America”.
Lini një Përgjigje