Në fillim të pranverës së vitit 2014, një avion i Ministrisë ruse të Emergjencave u ul në qytetin port sirian të Latakias me një sasi ndihmash humanitare. Ai u mirëprit në terren nga një delegacion që përfshinte kryemyftiun e vendit, guvernatorin e zonës, shumë gjeneralë dhe disa zyrtarë qeveritarë nga Damasku.
Ndërsa sirianët e mbledhur aty shtrënguan duart me ekuipazhin rus dhe mbajtën fjalime mirënjohjeje, dhjetëra të rinj shkarkuan me shpejtësi ndihmat humanitare - ushqime të konservuara dhe makarona në pako 10 kilogramëshe - duke i zhvendosur në disa furgona. Ata e përfunduan shpejt këtë punë dhe u larguan nga aeroporti shumë kohë përpara përfundimit të ceremonive. Pasi u nda me rusët, delegacioni sirian hipi në disa makina të shtrenjta dhe u nis drejt qendrës së Latakias. Rrugës, gjeneralët dhe zyrtarët urdhëruan hedhjen e tyre anash rrugës.
Pra ndihmat e pranuara me aq shumë mirënjohje u flakën tej para se të mbërrinin në qytet. “A i patë ato pako makaronash? Ishin mbeturina dhe jo makarona. Edhe qentë tanë nuk do t'i hanin dot. Sigurisht, këtë s'mund t'ua themi drejtpërdrejt rusëve. Ne u jemi mirënjohës atyre për ndihmën, por ato ushqime nuk do t'i prekte me dorë askush”- shpjegoi një zyrtar nga Ministrisë siriane të Informacionit.
Në vend të makaronave vërtetë të shpifura, zyrtarët dhe gjeneralët sirianë do të preferonin më mirë të merrnin nga rusët tanke, topa, avionë dhe anije. Në vitin 2014, lufta civile në Siri ishte në kulmin e saj, dhe forcat qeveritare po përpiqeshin më shumë vështirësi të mbanin një vijë të frontit që ndonjëherë mbërrinte deri në periferinë e Damaskut.
Në atë kohë, i vetmi aleat i rëndësishëm i ushtrisë së Bashar Al-Assad ishte Hezbollahu libanez, luftëtarët e të cilit ishin të angazhuar në beteja kundër kryengritësve. Hezbollahu merrte financime dhe armë nga Irani. Ndonjëherë instruktorët iranianë mund të shiheshin në pozicionet e tyre, lehtësisht të dallueshëm nga uniformat e tyre.
Propaganda shtetërore siriane i përshkroi si heronj dhe shpëtimtarë luftëtarët e Hezbollahut. Gjatë festave, rrugët e qyteteve të kontrolluara nga regjimi ishin stolisur jo vetëm me flamuj kombëtarë, por edhe me pankarta të verdha të grupit libanez, së bashku me portretin e liderit të Hezbollahut, Sheikh Hassan Nasrallah, i cili shfaqej në parulla krahas portretit të Assadit.
Mund të duket e tepruar të thuhet se Hezbollahu e shpëtoi i vetëm regjimin e Asadit. Megjithatë nuk ka asnjë dyshim se ky grupim luajti një rol vendimtar, duke i dhënë mundësi presidentit sirian të rezistonte deri në momentin kur rusët kaluan nga ofrimi i ndihmës humanitare si mallrat e konservuara dhe makaronat në dërgimin e pilotëve dhe trupave këmbësore mercenare në Siri në vjeshtën e vitit 2015.
Ishin rusët ata që duke shpërfillur të gjitha normat dhe parimet e luftës, shenjestruan shkolla dhe spitale, kryen ekzekutime pa gjyq dhe madje rrafshuan qytete të tëra, duke e ndryshuar në fund rrjedhën e luftës dhe duke siguruar qëndrimin në pushtet të Assad, të paktën në zonat e vendit që mund të kontrollonin qeveria dhe ushtria e tij.
Dhe që nga fillimi i pranisë së tyre ushtarake në Siri, rusët bashkëpunuan me Hezbollahun. Oficerët rusë dhe përfaqësuesit e grupit mercenar i koordinuan veprimet e tyre dhe përgatitën operacione të përbashkëta. Aleanca midis Rusisë dhe Hezbollahut, evoluoi shpejt përtej një partneriteti vetëm ushtarak.
Në 2018, qeveria amerikane zbuloi një skemë të sofistikuar që përfshinte kontrabandën e naftës iraniane në Siri, në kundërshtim me sanksionet e vendosura. Ajo skemë përfshinte lojtarë kyç si kompania shtetërore ruse Rospromimport dhe zyrtarë të lartë të Hezbollah. Ndërkohë, si rusët po ashtu edhe Hezbollahu u përfshinë në një skemë tjetër që synonte anashkalimin e sanksioneve perëndimore. Sipas saj, Irani dërgonte para në një nga bankat shtetërore të Sirisë, e cila më pas i transferonte fondet në llogaritë e lidhura me Hamasin dhe organizatat e tjera terroriste.
Delegacionet e Hezbollahut u pritën nga zyrtarë të lartë në Moskë, dhe ambasadori rus në Liban e vizitoi selinë e grupit radikal për të diskutuar projektet e përbashkëta. Po me mbështetjen e Iranit, grupi libanez dhe agjencitë qeveritare ruse, krijuan një flotë të tërë anije-cisternë, e cila u përdor për vite me radhë për të transportuar naftën iraniane pavarësisht sanksioneve.
Të ardhurat nga shitja e naftës shkuan për financimin e luftës në Siri dhe mbështetjen e konflikteve të tjera në Lindjen e Mesme. Pasi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 i nxiti vendet perëndimore të vendosin një kufi maksimal të çmimit të naftës, duke synuar reduktimin e fitimeve të Moskës nga shitja e naftës, kjo flotë u përdor sërish për të shmangur kufizimet nga regjimi i sanksioneve ndërkombëtare dhe për të vazhduar eksportet e naftës dhe gazit rus.
Gjatë javëve të para të luftës, pati raportime për disa qindra mercenarë nga Hezbollahu që luftonin përkrah forcave ruse. Edhe pse grupi i hedh poshtë pretendime të tilla, vlen të kuptohet se udhëheqja e Hezbollahut pranoi pjesëmarrjen e saj në luftën siriane vetëm në vitin 2013, pra pas 1 viti pasi i kishte vendosur njësitë e saj të para në vijat e frontit.
Pastaj ka edhe një detaj të rëndësishëm: Hezbollahu është një organizatë shiite që i përmbahet rreptësisht të gjitha rekomandimeve fetare të shiizmit, përfshirë doktrinën e “Takijya”, e cila jo vetëm e lejon, por e detyron një besimtar që t'i fshehë para armiqve qëllimet e tij të vërteta.
Kjo doktrinë i ka fillesat që në mesjetën e hershme, kur shiitët persekutoheshin për besimin e tyre. Prandaj, deklaratat e Hezbollahut apo udhëheqësve të Iranit shiit duhet të merren gjithmonë me njëfarë mosbesimi.
Baza e Hezbollahut shtrihet në rajonin jugor të Libanit, nga kryeqyteti Bejrut deri në kufirin me Izraelin. Në vitin 2021, pati plane që Rusia të ndërtonte një hidrocentral në këtë zonë me një kosto 1.5 miliardë dollarë. Dhe ky njoftim erdhi menjëherë pasi një delegacion i Hezbollahut vizitoi Moskën.
Por puna për këtë projekt nuk ka filluar ende. Sheikh Nasrallah e shpjegon vonesën me ndërhyrjen SHBA-së, që ka nënshkruar një kontratë të ngjashme me autoritetet qendrore të Libanit. Bashkëpunimi Hezbollah-Rusi vazhdon ende.
Sipas gazetarëve izraelitë, Rusia vazhdon trajnimin e luftëtarëve të Hezbollahut, që dyshohet se po rekruton sirianë për të luftuar në krahun e trupave ruse në Ukrainë. Burimet izraelite pretendojnë se, në këmbim të sigurimit të “mishit për top” për ushtrinë ruse, Hezbollahu ka fituar qasje në armatimin modern rus, përfshirë raketat.
Bëhet fjalë për sistemin e mbrojtjes ajrore vetëlëvizëse Pantsir, i përdorur më parë nga mercenarët e Grupit Vagner në Siri, dhe më vonë i blerë nga ushtria siriane. Hezbollahu nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në luftën e Gazës, por raketa dhe dronë lëshohen herë pas here drejt Izraelit. Në kundërpërgjigje, Forcat Ajrore izraelite bombardojnë pozicionet e Hezbollahut nga avionët. Nëse Hezbollahu do të merrte sistemin rus Pantsir, fluturimet e Forcave Ajrore izraelite do të bëheshin shumë më të rrezikshme./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”
Lini një Përgjigje