TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2024, 14:37

Rusisë po i mbarojnë paratë, Evropa dhe SHBA duhet të shtrëngojnë sanksionet për të përshpejtuar fundin e luftës

Shkruar nga Peter Doran

Rusisë po i mbarojnë paratë, Evropa dhe SHBA duhet të

“Pa para nga Moska, ne nuk do të jemi në gjendje të rezistojmë as edhe 1 muaj!”. Kjo është një dobësi, të cilën që Evropa dhe SHBA-ja duhet ta shfrytëzojnë.

Duket se “magjistarëve” të financave në Kremlin, po u mbarojnë “lepujt” që duhen të nxjerrin nga “kapelja”. Qeveria ruse e zbuloi këtë fakt, kur publikoi buxhetin e saj të rishikuar për vitin 2025 , duke treguar kostot spirale të luftës së presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Tani i takon Evropës dhe SHBA-së që ta shfrytëzojnë këtë rast, duke shtuar më tej kostot ekonomike për Rusinë, nëpërmjet mbylljes së boshllëqeve që kanë sanksionet aktuale. Duke vepruar në këtë mënyrë, ata mund ta përshpejtojnë fundin e luftës, ndoshta në favor të Ukrainës.

Ose të paktën ta nxisin Putinin të ulet dhe negociojë për një zgjidhje serioze të konfliktit që po vazhdon prej 2 vite e gjysmë. Një shqyrtim i imtësishëm i planeve buxhetore të Putinit për vitin e ardhshëm, tregon se Kremlini synon të shpenzojë  145 miliardë dollarë për mbrojtjen nga afro 436 miliardë dollarë shpenzime qeveritare në total.

Pra në total mbi 6.3 për qind të PBB-së së Rusisë - kujtoni që standardi i NATO-s është 2 për qind - dhe shënon nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake të Moskës që nga Lufta e Ftohtë. Dhe lajmi i keq për Putinin: teknokratët e tij, e kanë fshehur koston e plotë të pushtimit të Ukrainës.

Të shpërndara në buxhetin vjetor janë pagesat shtesë që lidhen me luftën, përfshirë pagat që Moska u paguan punëtorëve në rajonet ukrainase të pushtuara ilegalisht; kujdesin shëndetësor për ushtarët e plagosur; heqjen e mbeturinave; riparimin e infrastrukturës dhe shpenzimet e pazbuluara të “klasifikuara”.

Kur mblidhen këto shpenzime, del se barra reale mbi ekonominë e Rusisë i afrohet nivelit 10 për qind të PBB-së. E vërteta është se qeveria ruse, nuk po arkëton mjaftueshëm para për t’i mbuluar kostot e lidhura me luftën. Kremlini duhet të ketë një defiçit, dhe ai tashmë ishte rreth 34 miliardë dollarë vetëm vitin e kaluar.

Dhe kjo i jep Perëndimit një hapësirë të re manovrimi. Ndërsa defiçitet buxhetore janë të menaxhueshme për shumicën e qeverive, Rusia nuk është një vend normal. Për shkak të sanksioneve perëndimore, Moska nuk mund të balancojë dot zërat e saj buxhetorë përmes huamarrjes ndërkombëtare.

Për më tepër duhet të paguajë norma interesi shumë të larta - deri në 16 për qind për një obligacion me afat 10-vjeçar - huadhënësve vendas. Është një kosto shumë e madhe. Ç’është më e keqja, teknokratët e Putinit e kanë boshatisur tashmë Fondin Kombëtar të Pasurisë Kombëtare (NËF) të parashikuar për t’u përdorur në “ditët e këqija”.

Në kushte normale, NWF ruse ka dy qëllime - të ruajë të ardhurat e tepërta nga taksat në kohë të mira, dhe të mbrojë vendin nga çmimet e ulëta të naftës kur punët shkojnë keq. Por kohët e fundit, Kremlini e ka shteruar këtë fond për të paguar për luftën që po zhvillon në Ukrainë.

Në vitin 2021, likuiditeti i tij arriti në 117 miliardë dollarë, ndërsa sot është vetëm 55 miliardë dollarë. Dhe nëse NËF do të boshatiset fare, atëherë Moska do të detyrohet të zgjedhë midis një menuje opsionesh të këqija për të mbajtur ndezur makinerinë e saj të luftës.

Opsione të tilla, përfshijnë taksa më të larta për elitën dhe shtresën e mesme të Rusisë, huamarrje me kushte më të rënda, shtypje të mëtejshme të rublës që do e zhvlerësojë më tej atë, dhe ndoshta reduktim të subvencioneve sociale, që ndihmojnë në mbajtjen të qetë të popullatës së saj.

Tashmë, Ministria ruse e Financave, po i ndjek këto opsione deri në një farë mase, për aq sa ato nuk shkaktojnë ndonjë një reagim të madh publik. Nëse do t’i drejtohet huamarrjes më të fortë, taksave më të larta, shtypjes së rublave dhe shkurtimeve të përfitimeve, kjo qasje do paraqiste rreziqe serioze për stabilitetin e regjimit.

Le të analizojmë pak subvencionet, që Moska paguan aktualisht për të mbajtur të qeta rajonet e saj të trazuara. Pagesat janë jetike për vende si Çeçenia, ku kryekomandanti Ramzan Kadyrov e drejton territorin si një shtet klient brenda Rusisë.

Kadyrov e ka bërë të qartë paralajmërimin e tij:“Pa para nga Moska, ne nuk do të jemi në gjendje të rezistojmë as edhe 1 muaj!”. Kjo është një dobësi, të cilën që Evropa dhe SHBA-ja duhet ta shfrytëzojnë.

Dhe mënyra më e shpejtë për ta bërë këtë, është ulja e “tavanit të çmimit të naftës” nga G7-a mbi eksportet e naftës së papërpunuar ruse. I propozuar fillimisht nga BE-ja, dhe i propaganduar si një mjet që do të kufizonte të ardhurat e Moskës, “tavani i çmimit” i ofron Rusisë një shteg të gjerë për të shmangur sanksionet.

Për sa kohë që e shet naftën nën kufirin prej 65 dollarë për fuçi, Kremlini mund të fitojë aq të ardhura sa të dojë, pa ndonjë dëm serioz. Për shembull, vetëm muajin e kaluar, kur çmimi i tregut Brent, ra për pak kohë nën 70 dollarë për fuçi, Rusia u detyrua të bënte një ulje të vogël të çmimit të naftës së saj të papërpunuar.

Dhe për shkak të këtyre shitjeve të ligjshme (dhe atyre të paligjshme nëpërmjet embargos), paratë janë derdhur në arkat e Moskës. Çdo muaj, Moska mbledh rreth 9 miliardë dollarë të ardhura tatimore nga këto shitje, përfshirë rreth 1 miliard dollarë nga BE-ja.

Dhe çdo miliard dollarë që Kremlini arkëton nga shitjet e energjisë, përfaqëson 1 miliardë dollarë që e ruan në NËF për të balancuar buxhetin e tij, për të forcuar mbështetjen e regjimit dhe për të paguar për luftën e tij kundër Ukrainës.

Prandaj ka ardhur koha të shtrëngohet “vidat financiare” ndaj Rusisë, e duke ulur “çmimin tavan” të naftës ruse në vetëm 30 dollarë për fuçi, pra afër kostove reale të prodhimit, dhe që si Evropa ashtu edhe SHBA-ja të jenë edhe më të ashpra në zbatimin e sanksioneve ndaj blerësve të paligjshëm të naftës si Kina, India dhe Turqia.

Ky duhet të jetë një prioritet kryesor, kur udhëheqësit evropianë të ulen për bisedime me administratën e ardhshme amerikane. Shënjestrimi i dobësisë financiare të Putinit në këtë mënyrë, do të ndihmojë Ukrainën që ta fitojë luftën./Përshtati "Pamfleti", nga “Politico.eu”

Shënim: Peter Doran, bashkëpunëtor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

evropa shba lufte rusi para

Lini një Përgjigje